Kosovarët nuk po lejohen të vizitojnë të burgosurit, Haxholli: Serbia nuk i njeh dokumentet RKS të familjarëve

Sekretari i Zyrës së Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, ka shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të pasigurisë fizike dhe juridike për qytetarët e Kosovës që janë arrestuar nga autoritetet serbe.

Haxholli ndau një komunikim mes një avokati serb dhe një qytetari të Kosovës, i cili këto ditë kishte shkuar për të vizituar një familjar të tij të burgosur në Serbi, por nuk kishte mundur ta bënte këtë.

“Sa i lartë është niveli i pasigurisë fizike dhe juridike për ata që kalojnë, ndalen, arrestohen, apo burgosen në Serbi, tregon ky komunikim i një avokati serb, i ndarë me mua nga një bashkëqytetar i Republikës së Kosovës, i cili këto ditë kishte shkuar për të vizituar një bashkëfamiljar të tij të burgosur në Serbi. Edhe pse vizita ishte aprovuar, ai u pengua me arsyetimin se nuk mund të njihnin dokumentin identifikues të RKS për ta realizuar këtë vizitë”, tha ai.

“Pra, në kufi e njohin dokumentin, në instanca të tjera nuk e njohin atë. Kjo tregon se sa e verbuar është Serbia nga urrejtja kundër qytetarëve të RKS, dhe kur janë në pyetje shqiptarët, nuk njeh as ligjet e veta, e lëre më ato ndërkombëtare,” shkroi Haxholli.

Më tej, ai ndau edhe një fragment të tekstit të avokatit serb, i cili sipas tij, kishte thënë se “këto janë ca lojëra politike dhe nuk mund të lejojë askënd pa udhëzime të tjera.”

“Një fragment i tekstit të avokatit serb: E thirra udhëheqësin e burgut… Më tha se këto janë ca lojëra politike, dhe se ashtu i është urdhëruar dhe nuk mund të lejojë askënd pa udhëzime të tjera,” shkroi Haxholli.