Krivaça e Sejdiu s’e pranojnë fajësinë për vrasjen e Osmanit

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit në gusht të vitit të shkuar.

Me këtë ka përfunduar seanca fillestare.

Prokuroria Themelore në Ferizaj muajin e kaluar njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Ata akuzohen për “Vrasje të rëndë”. Krivaça akuzohet edhe për veprën penale “dhunimi”, ndërsa Sejdiu për veprën penale “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

Dardan Krivaça ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se në Ferizaj, në banesën e tij, “me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte vdekur”.

Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar “në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës”.