Bosnja dhe Hercegovina ndodhet brenda një ngërçi të madh politik. Kjo përveç se ka shqetësuar tërë shoqërinë brenda kësaj federate, ka alarmuar edhe rajonin se gjërat mund të kthehen në brutalitetin e viteve të 90-ta.
Millorad Dodik, Anëtari serb i Presidencës së BeH-së, në fillim të muajit tetor deklaroi se entiteti serb i BeH-së, Republika Srpska, do të tërhiqet nga institucionet shtetërore, për të krijuar autonominë e saj të plotë – në kundërshtim me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
Dodik për mëse 15 vite kërcënon me shkëputje nga BeH, por deklarimet e fundit, që përnga toni kanë qenë më të zjarrëta, kanë ngritur shqetësime të shpërthimit të një lufte.
Gjeneza e krizës
Në korrik të këtij viti, Valentin Inzko, ish-Përfaqësuesi i Lartë i BeH-së, ndaloi me ligj mohimin e gjenocidit të Srebrenicës dhe krimet e tjera të njohura botërisht, si dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Kjo gjë acaroi përfaqësuesit serbë në BeH, të cilët haptazi veprojnë plotësisht të kundërtën, dhe si përgjigje ndaj Inzko-s, bojkotuan institucionet e shtetit.
Vazhdimësia destruktive e Dodikut
Dodik, vazhdoi me krijimin e një sërë paralizmash shtetërore, duke vendosur që Republika Srpska të tërhiqej nga tri institucionet kyçe shtetërore: forcat e armatosura, trupën e lartë gjyqësore dhe administrata tatimore.
Për të mos i mjaftuar kjo, Dodik, më 12 tetor deklaroi se duke nisur që atë ditë sistemi gjyqësor boshnjak dhe shërbimet e inteligjencës ndalohen të operojnë në territorin e RS-së.
“Në vend tê tyre”, tha ai, “institucione vetëm me serbë do t’i zëvendësojnë ato”.
“Kjo, deri në fund të nentorit”, tha ai se so do të arrihet.
“Ne duam që autoritetet tona të kthehen tek ne [parlamenti rajonal]… Kjo nuk është asgjë radikale,” tha Dodik. “Kjo është për forcimin e pozitës së Republika Srpska.”
Asambleja e Republika Srpska miratoi një ligj që krijon agjencinë e vet të prokurimit të barnave, e para nga agjencitë e saj të shpallura që operojnë veçmas nga ajo e nivelit shtetëror.
A po fillon ndarja?
Dodik këmbëngul se “kjo nuk është shkëputje” dhe “nuk ka mundësi për luftë”, por ai u tha mediave më 14 tetor se shtatë vende të Bashkimit Evropian mbështesin shpërbërjen e Bosnjës, duke shtuar se “miqtë” i kanë premtuar ndihmë entitetit serb në rast se Përëndimi ndërhyn ushtarakisht”.
“Kjo është ndarje në të gjitha gjërat, përveç ëmërtimit. Ai po teston ujërat”, thotë politologu Jasmin Mujanoviç.
Pse kjo përbën shqetësim
Kur Dodik u pyet së fundmi nga një gazetar se si planifikon të dëbojë anëtarët e shërbimeve shtetërore – gjyqtarë, prokurorë, anëtarë të forcave të armatosura – nga territori i entitetit, ai u përgjigj se “siç e bënë sllovenët më 1992″, duke iu referuar përdorimit të dhunës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Emir Suljagiç, drejtor i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, shkroi në një rubrikë për Anadolu Agency të dielën se “institucionet mono-etnike si ato që z. Dodik planifikon për të rikrijuar“ ishin mjetet për gjenocid në vitet 1990.
“Policia, ushtria, shërbimet e inteligjencës dhe të sigurisë ishin në qendër të dhunës së organizuar dhe sistematike kundër joserbëve. Këto institucione e konsideronin ekzistencën e boshnjakëve një kërcënim ekzistencial,” shkroi Suljagiç.
“Nëse nuk arrijmë t’i frenojmë këto kërcënime, çmimi përfundimtar që do të paguajmë është një tjetër Srebrenicë [gjenocid]”.