Kryeimami i Kosovës: Nëse na lejohet nga institucionet shëndetësore, Bajramin do ta falim në stadium

Të premten e 24 prillit, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit.

Besimtarët myslimanë, këtë herë nuk do të mund të shkojnë në xhami për t’i kryer ritualet fetare si pasojë e pandemisë COVID-19, me të cilën po përballet e gjithë bota.

Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, tha se gjatë muajit të Ramazanit do të mundohen të jenë sa më afër besimtarëve myslimanë. Ai bëri të ditur se përmes rrjeteve sociale, besimtarët mund ti ndjekin ligjërata fetare. Pos tjerash, Bajgora tregoi për disa prej aktiviteteve që do ti kenë gjatë muajit të Ramazanit.

“Prej ditës së premte do të kemi një aktivitet shumë të madh dhe të bujshëm mediatik, do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona nëpër kanalet tona Youtub’it dhe të Facebook’ut që të jemi me besimtarët me ligjërata online, dy herë në ditë. Një në kohën në mes drekës dhe ikendisë dhe një mbas iftarit”, tha për T7 krye imami i Kosovës.

Po ashtu, Bajgora tha se do të ketë ligjërata edhe nga departamenti i gruas.

“Këto ligjërata kanë të bëjnë më tepër me botën femërore dhe pastaj do të ketë programe që do të trajtohen pyetje-përgjigje online nga besimtarët tanë”, shtoi Bajgora.

Ndër të tjera, krye imami i Kosovës bëri të ditur se gjatë këtij viti, nuk do të falet as Bajrami nëpër xhami.

“Unë jam i bindur se Bajram nuk do të ketë sivjet në xhamia, është një ndjenjë jo e këndshme për neve. Ne do të vazhdojmë të shpresojmë se ndoshta kah fundi i majit do të kemi kushte pak më të mira, dhe nëse na lejohet nga institucionet tona shëndetësore, dhe nëse merr koha e mirë do ta falim Bajramin në stadiumin e Prishtinës, apo në hapësira që janë të mëdha. Krejt kjo do të varet nga pandemia”, tha Bajgora.

Sidoqoftë, krye imami i Kosovës, u bën thirrje të gjithëve për qëndrim në shtëpi gjatë kësaj kohe pandemie.

Për më shumë shikoni materialin e realizuar nga gazetarja Syzana Hajradini.