Kryeortodoksi i ri Joani dhe thirrja për të mos braktisur Shqipërinë – Pa dashur vendin ku ke lindur, s’ke si ta duash Perëndinë

Mesazhe që thellë thellë duken laike, por që përbrenda tingëllojnë si një paqe shpirtërore që mund të arrihet vetëm përmes krijuesit.

Imzot Joani nuk është i ri në predikimin e fesë. Por, edhe pse ndoshta gjithë karriera e tij është qëndisur për të kulmuar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale një ditë, pozita e re e të parit të ortodoksve në vend, e gjen me një qasje të freskët.

Në një intervistë të parë si Kryepeshkop, dhënë për gazetën Tema, Imzot Joani e përflet mes rreshtash edhe një amanet të Anastas Janullatosit të ndjerë.

“Është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur. Mos e braktisni Shqipërinë”, është thirrja e tij, që kryesisht shkon për të rinjtë.

Mes rrëfimeve thellësisht kulturore në intervistën integrale të botuar, ai e nis me rininë e tij “ateiste”, siç ka qenë e imponuar asokohe nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

“Ne u rritëm pa praninë e besimit institucional, por në shpirtin e çdo njeriu ndjehen dhe ndodhin gjëra të ndryshme, sepse ne nuk jemi kopje”, përmend ai, mes pamundësisë për të praktikuar besimin.

Kontakti i tij i parë me Ungjillin, ishte besimi i tij i parë, zjarri pasionante që i lindi për predikimin, pagëzimi i fshehtë nga prindërit, apo takimi me Atë Kozmain në Vlorë.

Por Joani ka qenë njeri i thjeshtë përpara se të bëhej njeri i Perëndisë. Ai ka punuar në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e rehabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale.

Lidhja mes këtij profesioni dhe përkushtimit ndaj fesë është e dukshme sipas tij. Lidhjen e bën pikërisht pjesa e rehabilitimit të njeriut.

Kjo është feja sipas Joanit, përpjekja për rehabilitimin e njeriut dhe restaurimi i lidhjes së këputur ndërmjet njeriut dhe Perëndisë.

Më pas nuk lë pa përmendur edhe Kishën e fshehtë shqiptare Ortodokse, e cila ekzistoi në vend gjatë komunizmit. Me persekutimin të kthyer të zakonshëmn, pak priftërinj kishin mbetur. Por ata rrezikuan edhe jetën për të vijuar predikimet fshehtazi.

Në vitin 1990 megjithatë, jeta e Joanit merr kthesën e beftë. Pas hapjes së Ambasadave, ai merr rrugën e emigrimit për në SHBA. Me Petro Zhejin dhe një kushëririn e tij, ai shkon në Itali, pranohet si refugjat dhe merr vizë në Ambasadën Amerikane. Pajiset me mbërritjen atje edhe me një Green Card (leje qëndrimi).

Një personazh në veçanti i shënjon jetën, Atë Lionili, përmes të cilit ai arrin të marrë një bursë me ndihmën e Kryepeshkopatës shqiptare të Amerikës.

Bursa jepet nga një fondacion i krijuar prej Imzot Theofan Nolit, ose gjerësisht i njohur, Fan Stilian Nolit, shkrimtarit, patriotit të madh shqiptar, ish-kryeministrit dhe themeluesit të Kishës Autoqefale Shqiptare në SHBA.

Bostoni, Imzot Joanit, i mëson gjithçka duhet rreth ortodoksisë.

Në dy vjet, aq iu desh të kuptonte brenda vetes se me të mbaruar studimet në Boston, do të kthehej në Shqipëri, ku Anastas Janullatos, kishte nisur ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale, pas rënies së komunizmit.

Vendimi i Joanit e kishte gëzuar Anastasin. Lidhja që po krijohej, ishte e ngushtë.

Me kthimin e tij në atdhe, ai filloi të punonte si pedagog në Seminarin Teologjik të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Mes të tjerash, Joani i hyn edhe diskutimit fetar-kulturor të ndikimit të ortodoksisë dhe krishterimit në tërësi në Shqipëri.

Por ajo çfarë tërheq më shumë syrin, është raporti i sotëm me shtetin shqiptar.

Ai nuk kërkon të mohojë se ka ende probleme të pazgjidhura me pronat. Më tepër vullnet politik kërkohet prej Kishës dhe pronat cilësohen si me rëndësi për klerin ortodoks.

“Pronat janë të rëndësishme për komunitetet fetare, për të qenë të pavarura dhe mendoj se është një çështje që ka bëjë me sigurinë kombëtare, sepse nëse nuk do të jenë të pavarura ekonomikisht, do të ketë gjithmonë ndërhyrje nga grupime të tjera, të cilat nuk do të jenë gjithmonë dashamirëse ndaj vendit tonë”, përflet ai në një pasazh të intervistës.

Por në fund, e përmbledh se në bazë të gjithçkaje, qëndron bashkëjetesa fetare shqiptare – Thesari i madh i shqiptarëve, siç e përmend Joani.

Si pasuri e tillë, ajo duhet mbrojtur, shton ai.

I ka edhe disa parime rreth të cilave duhet të përqendrohet Kisha Ortodokse nën drejtimin e tij.

Për shembull: në ruajtjen e mësimeve të Zotit, të transmetuara nga apostuj deri në ditët tona, në unitetin e kishës, në forcimin e bashkëjetësës fetare, në përkujdesjen ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që janë të varfër, në nevojë, në sëmundje, në vetmi dhe të mënjanuar dhe në nxitjen e dialogut, si në atë pan-ortodoks, ashtu edhe në dialogun me të gjithë të tjerët.

E megjithatë, “vath në vesh” Joani ka këshillën e Shën Pavlit: Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit.

Dhe kjo këshillë, e ka një mesazh sublim, që ai kërkon ta tejçojë te të rinjtë e që nuk mund të ndahet në copëza, por të transmetohet si i tërë:

“Me respekt dhe me vlerësim ndaj tyre, dëshiroj t’ju japë të rinjve një këshillë atërore: ta duan vendin e tyre dhe të mos e braktisin, sepse është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur dhe rritur dhe njerëzit që banojnë në të. Sakrificat për të tjerët mund të kenë një kosto, por mendoj se ato do të sjellim më shumë gëzim dhe do ta plotësojnë jetën e tyre, sepse një jetë pa gëzim është një jetë e gjymtuar”.