Gani Geci ka kërkuar ballafaqim me ata të cilët kanë vendosur grafite fyese kundër vëllait të tij Fadil Gecit, i cili ditë më parë dha dëshminë e tij në Hagë, në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
“Këto grafitë denigruese mendoj se janë të iniciuara nga një organizatë Liria ka Emër, e nëse liria e ka emrin Hashime, po iu boj be që këto Hashimet kam qejf me i punu. Unë jam këtu para juve ditën, ata që më kanë vra shokët natën, kam thënë para 23 vjete, s’ko me lanë gur pa rrotullu për me i zbulu dhe tash iu ka ardh fundi, atyne iu ka kallë pak bishti, po iu duket qe u kall krejt dyjeja (bota)”, u shpreh ai.
Geci tutje tha se ata që i kanë vizatuar grafitet këtë e bëjnë vetëm natën, pasi sipas tij e kanë të qartë se ditën do përballeshin me ballafaqimin e tij.
“Atyne Facebookave fals që shkruajnë natën a? Për qato e shkruajnë natën, se e dinë ça ju boj me i nxon ditën, jau bëjë sikurse qasaj Hashimes. Për qato e shkruajnë natën. A po e shihni këtë gjyks hajdeni, Gani Geci është këtu”, u shpreh ai, ndërsa zhveshi edhe këmishën aq sa për të iu dukur pjesa e gjoksit.
Ish-pjesëtari i UÇK-së mes tjerash pretendoi se deklarata e vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçit, Gani Thaçit u bë shkak të vritet familja Jashari.
“Vëllai i tij (i ish-presidentit Hashim Thaçit) Gani Thaçi ka qenë në UDB, pasha Zotin deklarata e Gani Thaçit e ka rrethuar familjen Jashari. Pasha Zotin, deklarata e Gani Thaçit e ka vra familjen Jashari. Mas një kohe ka me u marr vesh kjo”.
Geci tutje tha se vëllai i tij në Hagë ka folur veç kundër Thaçit, raporton Klankosova.tv.
“Gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë që janë të mirë, pos Hashimja s’po ju del bash e mirë. S’ka fol për Jakup Krasniqin kurrgjë, ka thënë Jakup Krasniqi ka shkru libra, ai ka thënë rren është kjo, kaq”.
Ai tha se dëshmitarët serbë e kanë vendin në Serbi, ndërsa tha se ata i ka ndjekur vetë, gjë që sipas tij se ka bërë Thaçi.
“Dëshmitarët serbë e kanë vendin në Serbi, i kam ndjek prej Kosovës në vitin 1999, jo Hashimja. Na jemi këtu, unë nuk iki prej Kosovës prej Hashimes”.
Geci tha se është i gatshëm të jap dëshminë e tij para Hagës, ndërsa theksoi se nëse do të ftohej, biletën do ta paguante vet.
“Biletën ko me pagu vet (për të dëshmuar), sepse tani thoni ke marrë pare. Edhe hotelin ko me pagu vet, veç nëse nuk më thirrin”.
Gjithë këto reagime të Gani Gecit, erdhën pasi në Prishtinë janë vendosur grafite fyese për villain e tij Fadil Gecin, i cili të martën, dhe të mërkurën dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Shk* i biri i shk*nës”, shkruhet në grafit, njëri prej të cilëve është vendosur në pllakën përkujtimore të ushtarëve të KFOR-it e cila gjendet në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë. Mbi këtë shkrim është vendosur edhe një fotografi e Gecit, ku ai shihet duke dëshmuar në Hagë.