Isha duke i kthyer nga Sllovenia dhe gjithçka ishte në rregull. Për një moment, në autostradë afër pompës së derivateve në dalje të Nishit, kam vërejtur se po bie njëfar zinxhiri i argjentë. Tentova që ta shmangi, por nuk kam mundur pasi që e kisha kamionin në anën e djathtë. Dëgjova një shpërthim të vogël, vetura filloi që të dridhet. Disi arrita që të ndalem në shiritin tjetër dhe e pashë që goma ishte gati krejtësisht e shqyer.
Kështu ka thënë për gazetën serbe “Novosti”, Agron Berisha, gazetar nga Prishtina, i cili të dielën në mbrëmje ishte duke u kthyer nëpër këtë autostrafë ku i ndodhi fatkeqësia, për të cilin ai thotë se ka mundur të jetë fatale për të, gruan e tij dhe vajzën katërvjeçare, shkruan Ballkani.info.
Ai është i bindur se dikush qëllimisht e ka vendosur zinxhirin në rrugë, derisa dyshon se kjo është bërë nga kompania e karrotrecit (bartja e veturave të dëmtuara), e cila atë natë u paraqit para tij vetëm dy minuta pas incidentit.
“Më pyeten nëse kam nevojë për ndihmë”, tregon Berisha. – Bëra përpjekje që ta rregullojë vetë gomën, por meqë ishte totalisht e shqyer, e kuptova se me duhet një mjeshtër. Me kërkuan 150 euro që të me dërgojnë deri tek punëtoria e tyre, e cila nuk ishte më larg se 12 kilometra. I kisha me vete vetëm 80 euro dhe aq ua dhashë, për bartje dhe gomën e dëmtuar, plus edhe 10 euro për taksën rrugore, edhe pse nuk kaloi nëpër vendin që duhet paguar taksa rrugore. Asnjë kupon fiskal nuk ma lëshuan.
Ai tutje thotë se pasi që mjeshtri ia vendosi një gomë të vjetër, rrugën e vazhdoi tutje, por që kishte mbetur i tronditur se çfarë i ndodhi në rrugën për të cilën ka kaluar disa herë.
“Gjithçka ishte e çuditshme për mua, që nga momenti i hudhjes së zinxhirit në rrugë dhe deri tek arritja e atij kamioni”, ka thënë Berisha. – Mendoj se ai karrotrec punonte qëllimisht. Pak kam hulumtuar në internet dhe kam mbetur pa tekst kur e kam parë që këtë ua bëjnë edhe të huajve. Kam gjetur shumë njoftime në Facebook, kurse gjithçka ka ndodhur brenda harkut kohor prej një muaji. Bëhet fjalë për të njëjtin vend, pra në relacionin ndërmjet dy pompave në autostradën afër Nishit, i njëjti karrotrec vije tek të dëmtuarit, i njëjti kamion, të njëjtat targa. E kam parë që disave ky shërbim u ka kushtuar edhe 400 euro, por problemi më i madh është që kjo është e rrezikshme dhe se bëhet fjalë për rrezikim të jetës. Atë natë isha duke vozitur 130 kilometra në orë kështu që kjo mund të ishte serioze.
Të nesërmën, Berisha është rikthyer në Nish dhe është paraqitur në polici. Në polici kanë konfirmuar se të hënën më 20 janar, e kanë pranuar një ankesë të tillë dhe menjëherë i kanë ndërmarrë të gjitha masat që ky rast të hetohet.
“Është njoftuar menjëherë Prokuroria Themelore në Aleksincë, dhe me urdhër të saj po merren në pyetje persona të caktuar dhe po faktohen të gjitha të dhënat, ku më pas do të dalin me raport”, thonë nga policia e Nishit.