Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar për kullën ‘Mali i Tiranës’ që do të ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Tabaku shkruan se projekti i kësaj kulle është simbol i qartë i arrogancës dhe moskujdesjes për trashëgiminë historike, që sipas saj po shkatërrojnë qytetin nga ana urbanistike. Kjo kullë që do të ndërtohet, sipas Tabakut është një shëmbëlltyrë e politikës korruptive që ka ardhur si pasojë e pandëshkueshmërisë.
“Në vitet 1990-2011, gropa e Hajdin Sejdisë ishte simboli i kapitalizmit alla shqiptar, ndotja e qendrës së Tiranës, një shembull i rëndomtë i paditurisë politike. Edhe pse gropa u mbulua në 2011, për të qenë lulishte dhe jo moçali qytetit, 12 vite më vonë e njëjta politikë e riktheu në shëmbëlltyrën e politikës korruptive që ka shkatërruar jetët e shqiptarëve në 3 dekada. Gjatë kësaj kohe, oligarkët politikë dhe ekonomikë u pasuruan duke shkatërruar qytetin, ndërsa shumë prej tyre përdoren të njëjtat sjellje korrupsioni për të ndërtuar pasurinë e tyre.
Projekti i kullës në qendër të Tiranës është simbol i qartë i arrogancës dhe moskujdesjes për trashëgiminë historike, duke shkatërruar nga ana urbanistike dhe funksionale qytetin. Njëri ndër faktorët që shkaktoi këtë situatë është mungesa e sundimit të ligjit dhe pandëshkueshmëria, një këndvështrim që po ndryshon me angazhimin e SPAK”, shkruan Tabaku.
Deputetja demokrate inkurajon SPAK që të vazhdojë luftën kundër korrupsionit
“SPAK është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në ndalimin e korrupsionit dhe shpërbërjen e oligarkisë politike dhe ekonomike. Ku është zhytyr sot ekonomia, politika, media e çdo sektor mund realisht të ndryshojë veç me luftë pa kompromis ndaj korrupsionit e me mbështetje ndaj SPAK. Sot shqiptarët e kuptojnë se kush e lufton korrupsionin e kush bën gjasme, kush flet sa për të kaluar radhën e kush denoncon prej parimeve, kujt i është prekur interesi e kush është trimëruar nga halli.
Politika, përpos SPAK, është shansi për të nxjerrë nga moçali politik Shqipërinë – të hapim rrugën për një politikë ndryshe, si mjet real ndryshimi, me fakte e argumente me zgjidhje që me të vërtetë besojnë dhe punojnë se mund t’i bëjë gjërat ndryshe”, shkruan Tabaku.
Gradacela që do të quhet “Mali i Tiranës” pritet të jetë 65 kate. 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë, dhe po ndërtohet nga Nova Construction 2012 ku Ilir Shtufi rezulton pronar me 91% të aksioneve dhe Kujtim Shtufi me 9%.