Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme plenare ka nisur raportimin para deputetëve të Kuvendit për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kurti ka thënë se që në fillim të mandatit është zotuar për riformatim të dialogut, teksa ka thënë se prej kur u prezantua plani franko-gjerman, dialogu ka hyrë në një fazë tjetër.
Sipas tij, për herë të parë që prej fillimit të dialogut, normalizimi i marrëdhënieve është me shkrim.
Sipas tij aleatët kanë vendosur një kornizë me kushte strikte ndaj Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ti lejmë anash dallimet për ti ndihmuar interesat e tyre për një siguri kolektive dhe paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
“Sinqerisht aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë afër Evropës, por a do ta arrijnë nuk jam i sigurt. Ja vlente mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme. Marrëveshja bazë konfirmon që marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës zhvillohen në bazë të kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha të drejtat themelore që e karakterizojnë një shtet sovran. Serbia ka pranuar ta trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë të Bashkësisë Ndërkombëtare. Gjithashtu Serbia është zotuar që të mos kërcënojë me përdorim të forcës, por unë ende nuk do ta besoja këtë”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se dy shtetet duhet të jenë të përkushtuar të zhvillojë marrëdhënie normale mes dy shteteve.
Sipas tij, Serbia nuk duhet të bllokojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Kurti ka thënë se kjo është njohje defakto dhe me status të pakthyer.
Ka shtuar se të gjitha këto detyrime tashmë janë në fuqi dhe po mbikëqyren nga Bashkimi Evropian.
“Shtetet që bashkëpunojnë do të marrin nxitje në anëtarësimin në BE dhe mbështetje financiare nga BE. Meqenëse nuk ka shkallë të duhur të besimit, do të thosha se ka shkallë të lartë të mosbesimit. Nuk mund të kemi zbatime të njëanshme të marrëveshjes. Kosova i ka obligimet e veta ligjore, unë kam kundërshtuar për disa marrëveshje në të kaluarën dhe po vazhdoj të punoj për një rezultat më të mirë”, ka thënë ai.
Kujtojmë që të shtunën e shkuar, pas 12 orësh bisedime në tavolinën e negociatave, Kurti e Vuçiq u pajtuan mbi Aneksin e zbatimit të planit evropian për dialogun, ndonëse palët nuk hodhën nënshkrimin e tyre në një letër.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, pas përfundimit të diskutimeve mes palëve ka kumtuar se Marrëveshja dhe Aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të miratuara, bazuar në deklaratën e tij.
Sipas kryeministrit Kurti, ai ishte i gatshëm të nënshkruante, por Vuçiqi refuzoi.
Por Borrelli e bëri të qartë se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit do të bëhen pjesë integrale të procesit të anëtarësimit në BE, për Serbinë e Kosovën.