Kurti nuk ka lënë pa perënduar edhe takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama e që sipas tij ajo është bërë në mënyrë shumë miqësore dhe pa protokoll.
“Gjatë vizitës në Bruksel për darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pata takime me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, z. Josep Borrell, që ishte edhe nikoqir i darkës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák, dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola Von Cramon. Kurse me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takuam miqësisht e pa protokoll, para darkës, e për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti thotë më tej se vizita ishte një mundësi për të kërkuar ndihmë për situatën pandemike.
“Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe qeverinë e re të saj reformiste të dalur nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit, për të diskutuar rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, si dhe mundësitë për të rritë ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe përtej e pas saj”, shkroi më tej Kurti.