Dy partitë që synojnë të krijojnë Qeverinë e re po e kundërshtojnë zhvendosjen e Presidencës në objektin e ish-Komitetit, që aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë. Kreu i VV’së, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojnë zhvendosjen e Presidencës në këtë objekt për shkak të apetiteve për luks të Thaçit. Njëjtë janë shprehur edhe në LDK, para disa ditësh.
Ende pa u bërë kryeministër, Albin Kurti ia ka shuar Hashim Thaçit, ambicien për t’u zhvendosur në objektin e ish-Komitetit, që aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kreu i VV’së ka bërë me dije se nuk do të lejojnë zhvendosjen e Presidencës në këtë objekt.
Kurti ka thënë se Qeveria e re do ta ketë prioritet zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare dhe se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit, asnjë institucion publik nuk do të zhvendoset në objekte private.
“Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private”, ka shkruar Kurti.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar para disa ditësh ndaj zhvendosjes së Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga objektet e tyre.
LDK-ja përmes një komunikate për media ka kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të këtyre dy ministrive nga objekti i tyre.
“Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të MKRS-së dhe MBPZHR-së nga objekti i tyre pa u siguruar fillimisht një objekt tjetër në pronësi të Qeverisë, apo ndërtimin e një objekti të ri”, thuhej në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, zhvendosja e dy ministrive në objekte private do të ketë kosto enorme.
“Mbi të gjitha, ky vendim është edhe më i paarsyeshëm që po ndërmerret në kohën e tranzicionit nga një qeveri në tjetrën, pa planifikim të mirëfilltë paraprak operativ e financiar që po rezulton në një kosto enorme për qytetarët e Kosovës prej 105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private”, thuhej tutje në reagim.