Kryeministri në detyrë i Republikës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur akuzave të presidentit, Hashim Thaçi, i cili deklaroi se “Grupi i Kurtit duhet të sqarohet për vetëvrasjen në konvikt dhe rastin Pacolli”.
Mirëpo, këto akuza nuk i kanë bërë përshtypje kryeministrit Kurti.
“Fatkeqësisht kemi një president idhnak përplot vrer. Ai dëshiron që ministrit të shëndetësisë t’i bëhet mjek, ministrit të jashtëm t’i bëhet ministër e mua si kryeministër në detyrë të më bëhet mbret ndërsa prokurorëve gjykatës.
Kam përshtypjen se ai ka hyrë në një udhë në të cilën shpreson se do t’i dhimbset populli, por kjo gjë varet nga populli”, ishte përgjigja e Kurtit pas pyetjes së gazetarit të “Indeksonline”.
Ndryshe, presidenti Thaçi gjatë ditës së sotme kërkoi sqarim nga kryeministri në detyrë, ministri i Shëndetësisë dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm për rastin e kthimit të deputetit Behgjet Pacollit në vend, dhe humbjen e jetës së të riut Agon Musliu ditë më parë në karantinë te Qendra e Studentëve.
Thaçi konsideron se karantinimi në këtë vend nuk duhet të bëhet në bazë të selektimeve partiake. Ndër të tjera, ai po deklaron se ai nuk respekton vendimet e qeverisë, meqë janë antikushtetuese, por këshillat dhe rekomandimet e IKShP-së.
“Askush nuk ka të drejtë të pretendoj të mbajë të uzurpuara asnjë zyre të institucioneve të vendit. Ne veçanti pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, dhe përfaqësuesve të popullit. Askush nuk e di se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, askush nuk duhet të paragjykoj apo predikoj se do të jetë ky apo ai vendim, por të gjithë duhet të punojmë me kulturën më të lartë dhe përgjegjësinë më të lartë edhe politike edhe kombëtare demokratike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet”, ka deklaruar ai.