POLITIKE

Kurti: Politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit

Kurti ka pohuar se “10 qershori i Lidhjes së Prizrenit, bashkë me 28 nëntorin e Flamurit të Skënderbeut e të Pavarësisë së Shqipërisë, janë themel historik i asaj që jemi dhe kulm politik i asaj që bëhemi”.

“Politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit. Ata e kanë kuptuar se të bashkuar janë më të fuqishëm dhe më afër fitores andaj kanë theksuar të përbashkëtën, atë që na bën të ngjashëm, dhe janë themeluar mbi të. Lidhja e Prizrenit ka qenë shumë bashkëkohore”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Për më shumë, shkrimi i plotë:

‘”Përderisa shqiptarët i bënin kryengritjet kundër Perandorisë Osmane, Serbia e Greqia përgatiteshin si t’i ndanin tokat e banuara me shqiptarë. Në njërën anë ishte ideja e shtetit serbomadh sipas modelit të Perandorisë së Car Dushanit e përmbledhur në programin ‘Naçertania’ të Ilija Garashaninit. Ndërkaq, në anën tjetër, ishte ‘Megali Ideja’ e kreut të shtetit grek Jani Koleti. Që të dy këto projekte dalin në të njëjtin vit: 1844! E mu në këtë vit te shqiptarët Naum Veqilharxhi boton Qarkoren dhe Evetorin e Parë. Pra, fqinjtë tanë projektojnë ekspanzionizëm territorial, ndërkaq ne shqiptarët gjuhë, alfabet e abetare.

Perandoria Osmane kishte nisur reformat centralizuese të Tanzimatit që shkaktuan kryengritje të shumta popullore. Borxhet e Perandorisë Osmane sa vie e shtoheshin, saqë në vitin 1875 borxhet e jashtme të saj kishin arritur në 5,3 miliardë franga ari kurse nga të ardhurat shtetërore vjetore 37% ishin dedikuar vetëm për të paguar kamatën e huave.

300 përfaqësues shqiptarë u mbodhën në Prizren, më 10 qershor 1878, atëherë kur rreziku ishte shumë i madh. Paqja e Shën Stefanit ishte nënshkruar ndërsa Kongresi i Berlinit do të hapej tri ditë më vonë.

Lidhja e Prizrenit e formësoi kombin shqiptar por edhe e organizoi atë në aspektin politik e ushtarak. Ata përpiluan programin politik me kërkesa të qarta:

– Bashkim i vilajeteve shqiptare
– Ushtri me oficerë shqiptarë
– Organe qendrore politike
– Nëpunës që flasin shqip
– Hapje e shkollave shqipe

Me mobilizimin që bazohej në thirrjen “një luftëtar për çdo shtëpi dhe tre luftëtarë për shtëpi në zona kufitare”, e më së shumti në Malësinë e Madhe ku u mobilizuan të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë, Lidhja e Prizrenit arriti të ketë një çerek milioni shqiptarësh të armatosur e të organizuar. Pas shumë betejave të suksesshme kundër regjimenteve të Perandorisë, Lidhja arriti futjen nën kontroll të shumë qyteteve shqiptare: Vushtrrisë e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit e Gjakovës. Ajo mbrojti ushtarakisht Plavën e Gucinë, Grudën e Hotin. Asnjëherë tjetër nuk kemi arritur si komb ta kemi këtë nivel.

Në atë periudhë u bëmë bashkë duke e ndërtuar kalimin prej ndjenjës së fuqishme kombëtare tek vetëdija e lartë kombëtare, prej idesë politike te programi politik dhe prej mendimit tek aksioni. Kararnameja (Libri i Vendimeve) parashihte besën e përgjithshme dhe ndalonte gjaqet. Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni ishin në krye të përfaqësuesve tanë. Ata e kuptonin që vetëmohimi dhe bashkimi janë të domosdoshme për lirinë e popullit, për të të mirën e gjithëmbarshme, për ecjen përpara.

Atëbotë u lidhën komitetet e shqiptarëve anembanë trojeve që i popullonin. Kjo ishte lidhja. Ishte lidhja e viseve të ndryshme. Mirëpo, lidhja është edhe historike përveçse gjeografike. Pas Naum Veqilharxhit, natyrisht që erdhën Konstandin Kristoforidhi dhe Naim Frashëri. Ngjashëm sikurse pa Abdyl Frashërin nuk do t’i kishim më pas Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Kjo është mënyra se si brezat e kanë frymëzuar njëri-tjetrin dhe përveçse jemi lidhur në hapësirë jemi lidhur edhe në kohë.

Politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit. Ata e kanë kuptuar se të bashkuar janë më të fuqishëm dhe më afër fitores andaj kanë theksuar të përbashkëtën, atë që na bën të ngjashëm, dhe janë themeluar mbi të. Lidhja e Prizrenit ka qenë shumë bashkëkohore.

10 qershori i Lidhjes së Prizrenit, bashkë me 28 nëntorin e Flamurit të Skënderbeut e të Pavarësisë së Shqipërisë, janë themel historik i asaj që jemi dhe kulm politik i asaj që bëhemi”./


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

VIDEO/ Momenti kur aktivizohet sistemi mbrojtës ajror, sulmohet Ambasada Amerikane në Bagdad

Një sistem mbrojtës ajror u aktivizua pranë Ambasadës Amerikane në Bagdad të shtunën në mbrëmje,…

5 orë ago
  • LAJME

‘Çfarë do t’i them popullit?’ Shqetësimi i Ibrahim Rugovës që nuk takoi zyrtarë të lartë në ShBA

Mal Berisha, ish-ambasador e diplomat, ka treguar një rrëfim interesant nga takimet e tij në…

10 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Kërcënoi me vdekje kandidatin shqiptar për kryetar të Cyrihut për shkak të qëndrimeve për Gazën, arrestohet shtetasi malazez

Fushata zgjedhore në qytetin e Cyrihut po tregon anën e saj të shëmtuar pak para…

13 orë ago
  • KRYESORE

Tronditje në Emiratet e Bashkuara Arabe: Raportohet se është goditur aeroporti i Dubait, fluturimet janë pezulluar menjëherë

Shpërthime të forta janë raportuar në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në kryeqytetin…

16 orë ago
  • KRYESORE

Sulmohen bazat amerikane! Natë ferri në Iran, mbi 80 avionë izraelitë mbi Teheran, bie aeroporti

Irani ka përjetuar një tjetër natë ferri. Shpërthime të fuqishme kanë ndodhur një nga aeroportet…

19 orë ago
  • KRYESORE

“Washington Post”: Rusia po i ofron inteligjencës iraniane informata për vendndodhjen e forcave amerikane

Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…

1 ditë ago