Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel ka propozuar që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë deklaratë të paqes që këto vende nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.
Kurti përmes rrjetit social Facebook, tutje tha se takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.
“Në Bruksel, bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi, e nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Borrell dhe emisarit të tij z. Lajçak, sot u takuam me delegacionin nga Serbia të përbërë nga z. Vuçiq dhe z. Selakoviq.
Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.
Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:
Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka shkruar Kurti.