Kurti reagon pas deklaratave të Thaçit, e fton në duel televiziv

Kurti reagon pas deklaratave të Thaçit, e fton në duel televiziv

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi i ka reaguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për akuzat që ai ia bëri sonte. Kurti madje e ftoi Thaçin në një duel televiziv.

Kurti ka thënë se Presidenti Thaçi duhet të pushojë me kalim kufiri pa kontroll. Ai e quajti Thaçin shembull të keq për qytetarët.

“Presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet të pushojë me këto kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19. Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti tha se Thaçit iu dridh zëri si kalama kur e ftoi ky i fundit Kurtin që të vijë në shtëpinë e tij me Xhelal Sveçlën. Kurti i ofroi Thaçit një zgjidhje. E ftoi presidentin qe të përballen në një debat televiziv.

“Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës”, thotë Kurti.

E për ftesën që ia bëri Thaçi Kurtit, ky i fundit thotë se nëse presidenti do, në studio të ftohen edhe Behgjet Pacolli, Xhelal Sveçla e Rashit Qalaj.

“Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”.