Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka qenë spektator në teatër së bashku me bashkëshorten Rita dhe vajzën e tyre Lea, për të parë shfaqjen e fëmijëve “Liza në botën e çudirave”.
Këtë e bëri të ditur vet ai me anë të një postimi në Instagram, ku tregoi se u kënaqën aty, duke i lavdëruar aktorët dhe bëri me dije se si institucion nuk do ta lënë në harresë teatrin për t’i dalë në ndihmë.
“Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Kurtit:
Mbrëmë Lea, mua e Ritën, na dërgoi në teatrin “Dodona” për të parë shfaqjen “Liza në botën e çudirave” të Lewis Caroll, dramatizuar nga Arzana Kraja e me regji të Melihate Qenës.
Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij. Duke e ndjekur nga pas lepuroshin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte.
Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të.
Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale. Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë.
Nuk ka emancipim pa teatër.