Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka fajësuar Serbinë se po i përkrah grupet kriminale në veri të Kosovës, teksa ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mos i mbyllë sytë para nxitjes që po bën regjimi autokrat në Serbi.
Duke komentuar sulmet e orëve të para të së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, Kurti ka lavdëruar Policinë e Kosovës dhe komunitetet pa dallim etnie për durimin e treguar karshi provokimeve të vazhdueshme.
“Është për të ardhur keq që grupe kriminale në veri të Ibrit, gjithnjë të ditura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet e shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj, edhe qytetarët pa dallim etnie atje janë dëshmuar për qetësinë dhe durimin e tyre. Andaj, unë iu bëj thirrje të gjithë atyre që të vazhdojnë kësisoj”, ka thënë ai nga Shkupi, ku po merr pjesë në Forumin Socio-ekologjik.
Ai ka kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Bashkësia ndërkombëtare të mos i mbyllë sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta kundërshtojnë dhe luftojnë shtetin tonë. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë me policë kufitarë, ndërkaq Njësia Speciale atje është për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Kurti, raporton KosovaPress.
Kurti ka arsyetuar praninë e Njësisë Speciale në veri, duke thënë se sulmet në Zubin Potok dhe Zveçan janë dëshmi se çka do të ndodhte në pikat kufitare 1 dh 31 po të mos ishte Policia e Kosovës.
“Zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndodhur pak pas mesnate janë dëshmi se çka do t’iu ndodhte pikave kufitare 1 dhe 31 nëse aty nuk do të ishin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Bllokimi i rrugëve nuk po ndodh nga policia jonë, as qarkullimi i lirë i lëvizjes nuk pengohet nga policia jonë, përkundrazi”, ka shtuar ai.
25 shtator 2021, 13:31
Shpërndaje në