A është një shans i mirë për diplomacinë shqiptare, që për herë të parë të kontaktojnë me besueshmëri të lartë, drejtpërdrejt me Shtëpinë e bardhë?
Nga Idriz Morina
Një kanal duket se është krijuar, për tri shtetet, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e veriut, që shqiptarët të mund të përcjellin me zgjuarsi shqetësimet e tyre, planet antishqiptare, shkeljet ndaj shqiptarëve si në Mal të Zi, por edhe në Maqedoni!
Kjo perspektivë hamendësohet se është krijuar pas emërimit të Bix Aliut, për ambasador nga presidentin amerikan Joe Biden.
Bix Aliu, i biri i një emigranti në SHBA nga Kërçova e Maqedonisë, Azem Aliut, i cili edhe vet, kishte raport dhe njohje me presidentin amerikan Biden, mund të ngjallë shpresën, se mund ta ndihmojë çështjen shqiptare në Ballkan, pavarësisht që ai do të jetë i detyruar të ndjekë me përpikëri interesat dhe detyrat që ia ngarkon diplomacia amerikane!
Kisha bërë një përpjekje gjatë muajit mars nëpërmjet një miku, që të siguroja mundësinë për një intervistë me diplomatin shqiptaro-amerikan Bix Aliun.
Por, fillimi i luftës në Ukrainë dhe zhvillimet dramatike atje, meqë diplomati shqiptar i Amerikës, ndodhej në mision në Poloni, ishte e pamundur ta bënim intervistën, sepse përveç procedurave strikte të diplomacisë amerikane, gjërat i kishte vështirësuar lufta. Polonia tashmë ishte kthyer si një vend mburojë për Ukrainën, përveç pritjes së mijëra refugjatëve, edhe vend nga ku dislokoheshin e vazhdojnë të dislokohen nga ndihmat humanitare deri tek ato ushtarake për të ndihmuar shtetin, që po provonte ta pushtonte Ukraina.
Po ashtu një vend që po ‘përmbytej’ nga lumenj të pafundmë njerëzish, që po detyroheshin ta braktisnin vendin për shkak të sulmeve të pamëshirshme ushtarake ruse.
Një luftë që ne e kemi përjetuar ngjashëm, rëndë dhe tmerrshëm.
Bix Aliu, përveç se i shkolluar në gjuhën shqipe, ai zgjodhi që të vinte nga Amerika e largët dhe ta gjente fatin e jetës në mesin e shqiptarëve, që studionin në Prishtinë.
Duke qenë një djalë shqiptar, edhe pse i lindur në Ilinois të Çikagos në SHBA, ai do t’ia plotësonte dëshirën babait, Azem Aliu, i cili i takonte organizimeve të Ballikt Kombëtar, do të bëhej mjek. Por, për ta realizuar këtë dëshirë, ai do të studionte në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës, jo në SHBA, si duket për t’u familjarizuar me patriotizëm, për t’i parë vuajtjet e shqiptarëve nga afër nga regjimi serb, dhe njëkohësisht për t’u lidhur më fuqishëm me atdheun, tokat stërgjyshore.
Duke studiuar në Prishtinë, duket se është njohur me gruan e tij të ardhshme Nora Zajazin nga Shkupi, por familja e saj ishte po ashtu nga Zajazi i Kërçovës. Nga kjo dashuri dhe martesë ai ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
“Dëshira e babës së tij kishte qenë gjithmonë, që ai me u bo mjek. E ky jo që nuk kish dashtë kurrë, por edhe duke ia ka plotësuar dëshirën babës e ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë”, por Prishtinën e kishte zgjedhur “hatri i babës”!”, na thotë një burim i rrethit të Bix-ut.
Por, kur qe kthyer në SHBA, ai do të kërkonte një tjetër shkollim apo specializim, atij të diplomacisë dhe më pas do ta vazhdonte karrierën diplomatike.
Një admirues i presidentit Rugova
Sipas informacioneve të siguruara nga njohja me Bix-in, ai ishte një adhurues i presidentit Ibrahim Rugova, të cilin “e admirojke shumë”!
“Thoshte atë e keni pasur”.
Në një rast, ai i kishte thënë këtij, mikut, se “shyqyr që nuk i dini disa prapaskena në Rambuje”.
Ai i kujtonte si skandaloze sjelljet e përfaqësuesve të tjerë në Rambuje. “Shumë të papjekur dhe të papërgjegjshëm”, thotë ai.
“Më shumë i kishin kundërshtuar Rugovën, Aganin etj., se sa serbët”!, thotë ky mik.
B. Bix Aliu, i emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Mal të Zi
Në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, për Bix Aliun, thuhet se ai është anëtar karriere i Shërbimit të Lartë të Jashtëm, klasi Ministër-Këshilltar. Po, sipas të dhënave zyrtare, Aliu së fundmi ka shërbyer si i Ngarkuar me Punë, ad, përkohshëm i SHBA-së në ambasadën në Budapest, në Hungari. Para kësaj, ai ishte zëvendës-shef i Misionit të SHBA-së në ambasadën në Poloni, dhe ishte i Ngarkuar me Punë, të përkohshme gjatë gjithë vitit 2021.
“Më parë, Aliu ishte Konsull i Përgjithshëm i U.S. Konsullata e Përgjithshme në Krakov dhe u dekorua me Medaljen Honoris Gratia, nderimi më i lartë i qytetit, për avancimin e tij të rëndësishëm të lidhjeve ekonomike dhe kulturore midis Shteteve të Bashkuara dhe Krakovës”, thuhet aty.
Detyra të tjera që Aliu ka kryer, janë edhe si, zëvendësshef i Misionit të SHBA-vë në Ambasadën në Podgoricë, Mali i Zi, Oficer i Diplomacisë Publike në Tiranë, Shqipëri, Zëvendës Koordinator Orientues në Qendrën Kombëtare të Trajnimit për Çështjet e Jashtme të Departamentit të Shtetit dhe ka shërbyer një vit, si Bursist i Pearson, që u lejon Oficerëve të Shërbimit të Jashtëm mundësinë për të punuar në Capitol Hill – Kongres për një vit.
Diplomimin në mjekësi në Prishtinë, e thekson edhe Shtëpia e Bardhë.
“Aliu ka një diplomë mjekësie nga Universiteti i Prishtinës, Kosovë, dhe një diplomë master i Studimeve Strategjike nga SHBA-ja, Kolegji i Luftës së Ushtrisë në Carlisle, Pensilvani. Aliu është fitues i çmimeve të shumta për performancë nga Departamenti i Shtetit dhe flet gjuhën malazeze, polake, serbo-kroate, maqedonase dhe shqipe”, thuhet në njoftim.
Ndër, ata që kanë reaguar me shënime në Fb është edhe vjehrri i tij, Tahir Rexhep Zajazi, ish-profesor në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë.
“Dje e premte 16 shtator 2022 nga Shtëpia e Bardhë e SHBA-së u adresua një lajm që ngacmoi emocione në familjen Aliu-Zajazi. Konkretisht, kryetari aktual i SHBA-së, Xhon Bajden e nominoi të birin e Azem Begzat Aliu, gjegjësisht bashkëshortin e Nora Zajazi ambasador të plotfuqishëm, Bix B. Aliu në Malin e Zi. Shkallëzimi i Biksit deri në maje të kësaj karriere ishte i mundimshëm përball sfidave në filtrimin e peshës se vlerave për ta arritur limitin e besimit për marrje të përgjegjësisë në transferin e idealit të frymës demokratike që gatuhet në politikën ndërkombëtare të SHBA-së”, ka shkruar prof.Dr.Tahir Zajazi.
“Duam që emocionet e këndshme familjare të kësaj ngjarjeje me peshë, bile edhe historike ta ndajmë me bashkëkombësit tanë, e më gjerë. Ndërsa, ambasadorit të posa nominuar shqiptaro-amerikan t’i japim përkrahje të pakursyer në shënimin e kontributeve të tij maksimale ndaj miqve të palëkundshëm historik të SHBA-së”, ka shkruar profesori Ajazi, për të ndarë një pjesë të emocioneve familjare me shqiptarët kudo në botë.
Bix Aliu, emrin origjinar nga babai e ka Begzad, dhe shkurt e thirrnin Beg, i emëruar kështu nga babai i tij Azemi, që donte t’ia ripërtërinte emrin e babai të tij Begzadit, pra Bix-i, e mbante emrin e gjyshit të tij.
Ndërsa, nga disa postime në grupe në Fb të shqiptaro-amerikanëve, informojnë se shqiptaro-amerikani nga Chicago, i biri i Azem Begzat Aliut, është nipi i Begzat Vulit nga Zajazi i Kërçovës, ndërsa ia urojnë nominimin nga Presidenti Biden për ambasador amerikan në Mal të Zi.
Është interesant të thuhet se si rrallë për ndonjë tjetër, për emërimin e Bix-it për ambasador në SHBA, kanë bërë urime të shumta e të panumërta shqiptarët.
Të dhëna në vikipedia
Disa informacione të përgjithshme mund të gjenden edhe në vikipedia. Sipas kësaj faqeje të karakterit enciklopedik, B. Bix Aliu është një diplomat i specializuar në misionet e huaja diplomatike të Shteteve të Bashkuara. Po ashtu edhe këtu jepen ngjashëm infot zyrtare që gjenden në portalin e Shtëpisë së Bardhë, ku jepen info përveç të tjerave se ka shërbyer edhe në Maqedoninë e Veriut, dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Po ashtu kjo faqe jep edhe të dhëna shtesë, që konfirmon informacionet përmendura më sipër, se Bix e ka filluar karrierën e tij të Shërbimit të Jashtëm për ShBA-të në vitin 1999, kur ai ishte i përfshirë në negociatat e Marrëveshjes së Rambujesë, si një anëtar i ekipit të të dërguarit special të SHBA-së për Kosovën.
Ai ka shërbyer edhe si këshilltar special i përfaqësuesit të distriktit të 2-të të kongresit të Virxhinias. “Ai gjithashtu shërbeu në Qendrën Kombëtare të Trajnimit për Çështjet e Jashtme të Departamentit të Shtetit, ku ndihmoi në trajnimin e delegatëve të huaj të ardhshëm amerikanë”, thuhet aty.
Çmimet
Sipas të dhënave në vikipedia, Bix ka marrë çmime të shumta të Departamentit të Shtetit, duke përfshirë shtatë Çmime Nderi Superior, gjashtë Çmime Nderi të Merituara dhe Çmime për Performancën e Shërbimit të Jashtëm të Lartë. “Ai qe zgjedhur si anëtar i klasës inauguruese të Colin Powell Fellows, një program për oficerë të përzgjedhur të shërbimit të huaj, që demonstrojnë cilësi frymëzuese të përsosmërisë dhe udhëheqjes”.
Ai para më shumë se një dekade, në vitin 2008, nga komuniteti shqiptaro-amerikan i Çikagos, Illinois qe zgjedhur “Personalitet i vitit”. Ndërsa, pas 6 viteve, në vitin 2014, ai u shfaq si një nga 150 historitë më të mira të suksesit shqiptaro-amerikan midis komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.