I njohur shpesh si njeriu mbrapa ‘luftës së shenjtë’ të Putin, Patriarkun Kirill e ndjek një histori e gjatë pranë presidentit rus.
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti Putin ka dhënë një sërë shpjegimesh rreth asaj që e shtyu atë drejt këtij veprimi, duke nisur nga nevoja për të ndaluar avancimin e NATO-s drejt kufirit rus, mbrojtja e rusëve në Ukrainë nga një gjenocid apo edhe akuza se qeveria ukrainase po drejtohej nga neo-nazistët.
Sidoqoftë, ekspertë të ndryshëm e kanë lidhur luftën në Ukrainë me botëkuptimin që Putin ndan me një nga njerëzit e tij më të afërt, Patriarkun Kirill.
Kush është Patriarku Kirill?
Kirill është kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Ruse dhe komentet e tij si para edhe pas luftës në Ukrainë kanë qenë jo pak kontroverse.
Sot, ai njihet si lideri spiritual dhe këshilltari më i afërt i Vladimir Putin.
Por çfarë i lidh ata përveç besimit fetar?
Përgjigja e kësaj pyetjeje është ‘Rusia e Madhe’.
Në fakt, fundi i Rusisë imperialiste por shpesh edhe fundi i Bashkimit Sovjetik, janë përshkruar nga Putin si momentet më zymta të historisë ruse.
Kjo është arsyeja pse Patriarku Kirill nuk është vetëm lideri spiritual i Putin por edhe këshilltari i tij më i afërt politik.
Kirill ka bërë disa deklarata kontroverse duke arritur deri aty sa ta përshkruajë qeverisjen e Putin si një “mrekulli”.
Qëllimet e përbashkëta
Të dy Putin dhe Kirill kanë të njëjtin qëllim, ta rikthejnë Rusinë në lavdinë e saj të dikurshme.
Lidhja e Putin me Kirill nisi që në vitin 2012, kur kryepeshkopi i Moskës ofroi mbështetjen e tij për rikandidimin e Putin për mandatin e tij të tretë si president i Rusisë.
Por marrëdhënia e tyre thuhet të ketë nisur shumë më parë se viti 2012.
Në fakt, është aluduar shpesh se Kirill ka qenë një ish-agjent i lartë i KGB-së dhe janë të shumtë ata që duke vënë në pah diferencën në moshë, lënë të kuptohet se Kirill mund të ketë qenë eprori i Putin gjatë shërbimit të tij në KGB.
Qëndrimet kundër abortit, feminizmit apo edhe të drejtave të LGBT, kanë një popullaritet të provuar në vende konservatore dhe të krishtera si Rusia – dhe Putin ka bërë maksimumin për t’u përkufizuar si një udhëheqës që lufton për vlera të tilla.
Na fakt, ideologjia e tij kryesore ka qenë ndërtimi i një figure autokrate e cila në një farë mënyrë po e mbron popullin rus dhe vlerat e tij konservatore nga anti-vlerat e Perëndimit.
Justifikimi i luftës në Ukrainë
Ai gjithashtu ka ndarë të njëjtin mendim me Putin se vende si Ukraina nuk janë në fakt shtetet të pavarura, por se ato janë pjesë e Rusisë.
Një koncept mjaft i njohur mes rusëve është ‘Rusia e shenjtë’ apo Svyatáya Rus që teorikisht do të përfshinte në një shtet të vetëm Rusinë e sotme me Ukrainën, Bjellorusinë apo edhe Moldavinë.
Kjo retorikë e bashkimit të popullit rus në një fe të vetme, i ka rrënjët në shekullin e 10-të kur Princi Vladimiri i Parë në Kiev, u konvertua në fenë e krishterë dhe kjo është pika më e largët në histori që lidh popullin rus të sotshëm me fenë e krishterë.
Putin ka thënë shpesh se Ukraina është një pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe hapësirës shpirtërore ruse, dhe i njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga Patriarku Kirill.
Kirill në fakt, ka dalë edhe pro iniciativave të Rusisë në Siri duke thënë se trupat atje janë duke i shërbyer një misioni të shenjtë.
Por atij i është dashur të përballet edhe me një numër akuzash, përfshi këtu ato rreth përfshirjes së tij në afera korruptive për sa i përket importit të së duhanit në vitet 90-të, nga i cili ai thuhet se ka akumuluar një pasuri marramendëse prej $1.5 miliardë dollarësh.
Është e rrallë të shohësh në ditët e sotme, një marrëdhënie kaq të afërt mes një udhëheqësi politik dhe një lideri shpirtëror, që në fakt nuk ka si mos të të kujtojë lidhjet simbiotike dhe ndër-shekullore mes Monarkëve dhe Klerikëve, të cilët i shërbenin njëri-tjetrit si kombinimi perfekt i dorës së njeriut dhe fjalës së zotit.
“Në mënyrë që të bëhesh pjesë e klubit të këtyre shteteve, është e nevojshme që të mbashë një paradë për homoseksualët. Nuk duhet të bësh një deklaratë politike, as të thuhet ‘jemi me ju’, as të nënshkruhet ndonjë marrveshje, por thjesht të mbahet një paradë për homoseksualët,” – citohet të ketë thënë Kirill, sipas CNN.
“Konflikti në Donbas ka të bëjë me shumë më tepër se sa thjesht vlerat e ashtu-quajtura që ofrohen sot nga ata që kanë në dorë pushtetin,” – vazhdoi ai.
Këto janë vetëm disa nga deklaratat kontroverse që Kirill ka bërë së fundmi në mbështetje të Putin, edhe pse është hasur me rezistencën dhe komentet e shumicës së komunitetit fetar të krishterë në botë përfshi dhjetëra priftërinj rusë që dolën kundër tij dhe pikëpamjeve të tij pro-luftës.
Këto deklarata tregojnë qartë se lidhjet e Kirill shkojnë përtej besimit fetar dhe se ato mund të vazhdojnë të funksionojnë si një trup i vetëm i liderit shpirtëror dhe udhëheqësit politik.