Mustafa Nano në monologun e tij në “Provokacija” është ndalur te fitorja e tenistëve serbë, të cilët mundën ata spanjollë në Australi, dhe fituan kupën ATP.
Tenistët serbë mundën ata spanjollë në Australi, dhe fituan kupën ATP. Pas kësaj, ata u bënë bashkë, dhe zunë të festonin. Mes të tjerash kënduan edhe një këngë për Kosovën, një varg i së cilës bën: Kush të largon ty nga shpirti im Kosovë?
Novak Djokovic nuk është hera e parë që shfaqet në versionin shovinist. Vite më parë, kur shfaqej si shovinist në publik, të tjerët mund t’ia merrnin këto shovinizma si shpërthime prej djali kokoroç. Njeriu bëhet trazovaç kur është djalë i ri, apo jo? Por kohët e fundit po mendoja se ai është pjekur. Duke qenë se është një nga tenistët më të mirë të botës, ndoshta më i miri, duke qenë se është një nga figurat më të mëdha të sportit botëror, kam menduar se ky status do ta bënte më skrupuloz, do ta bënte të kuptonte se të jesh një njeri i rëndësishëm i botës, bart me vete edhe përgjegjësi të madhe. Kjo do të thotë se nëse para 10-15 vitesh mund ta shprehte një mendim ashtu si t’i vinte, me t’u bërë i madh do të matej mirë para se të fliste. Jo për gjë, por kur je i madh çdo fjalë e çdo gjest i yti merret nga gjithë mediat e botës. Kur je i madh, je dashje pa dashje edhe model për të tjerët, sidomos për gjeneratat e reja. Kur je i madh, bëhesh vetvetiu edhe mendjehapur. Mirëpo me Gjokoviçin po ndodh e kundërta. Sa më i madh bëhet, aq më mendjembyllur bëhet. Ajo që ai bëri bashkë me shokët e vet në Australi ishte një shfaqje mizerabël e fanatizmit nacionalist.
Kjo e ka një shpjegim, sidoqoftë. Unë nuk e lidh thjesht e vetëm me Novak Djokovic. Unë e lidh me shoqërinë serbe. Serbët kanë gati 200 vjet që ushqehen me idenë fikse, se Kosova është serbe, se ajo ka qenë përjetësisht serbe, se ajo do jetë përjetësisht serbe. Mantra që “Kosova është serbe” u është kënduar në vend të ninullës, u është mësuar në çerdhe, kopështe, shkolla fillore, e kanë lexuar nëpër libra, e kanë dëgjuar nëpër këngë, ja, si kjo që e kënduan tenistët në Australi, e kanë besuar këtë gjë që nga tifozët e sportit e deri te akademikët e intelektualët e shquar. Janë të paktë, numërohen me gishtat e dorës, intelektualët serbë që e thonë hapur se ideja që Kosova është djepi i qytetërimit e kulturës serbe është një sendërgji, janë të paktë intelektualët që e thonë hapur se Kosova është tanimë e humbur.
Unë gjithnjë kam menduar se sot, edhe sikur një fuqi madhore, e mbinatyrshme, të mund t’ua rikthente serbëve Kosovën, vetë serbët do duhej të thoshin: “Kosova sërish nën Serbinë? Jo, faleminderit shumë, mnogo vam hvala. Ovo je provokacija. Veç kjo që nuk na duhet. Kosovën e patëm, dhe nuk ditëm ta mbanim. Providenca na e la ta mbanim për gati një shekull, dhe eksperimenti i bashkëjetesës mes nesh e shqiptarëve dështoi me sukses të plotë.” Mirëpo, jo, ata nuk e shohin kështu. Ata e shohin si Novak Djokovici. Që s’e ka për gjë të këndojë në vitin 2020: Kush të largon ty nga shpirti im Kosovë? Fiu! Kosova i është shndërruar në një demon që ai e ka ende në shpirtin e tij. Ky njeri duhet egzorçizuar. Shoqëria serbe në përgjithësi duhet egzorçizuar. Duhet ta nxjerrë prej shpirtit të vet “demonin” Kosovë. Dhe pas kësaj nuk është se do shpëtojë Kosova. Jo, do shpëtojnë serbët vetë. Do shpëtojnë një herë e mirë.