Kushtetuesja s’e rrëzon Presidenten Osmani

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në lidhje me kërkesën e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës (PREBK) dhe Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), të përfaqësuara nga Albert Kinolli dhe Veton Berisha, respektivisht, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA.nr.29/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që kërkesa e tyre të shpallet e papranueshme.

Subjekt i kësaj kërkese ka qenë kontestimi i mandateve të dy deputetëve të “Romani Iniciativa”, të cilat nëse do të shpalleshin të pavlefshme, do të kontestohej edhe zgjedhja Vjosa Osmanit në postin e Presidentes së Shtetit.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesën e parashtruar nga PREBK, ta deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, ta deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit, sipas Gjykatës Kushtetuese është se “vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”.

Më saktësisht, vendimi i Kushtetueses thotë se “aktgjykimi sqaron që, rrethanat e rasteve konkrete ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura me 14 shkurt 2021”.

“Dy kandidatët përfaqësues të subjekteve politike, PLE dhe PBREK, respektivisht dhe të cilët sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve parlamentare të lartcekura, nuk kishin arritur të fitojnë vende në Kuvend, pretendojnë që të drejtat e tyre zgjedhore janë cenuar si rezultat i vendimeve përkatëse të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, të cilat parashtruesit përkatës i kontestojnë para Gjykatës duke pretenduar shkelje të paragrafit 4 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit], nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Për sa i përket njërit nga kandidatët e lartcekur, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, PREBK, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Albert Kinolli, Kushtetuesja thotë se Aktgjykimi sqaron që i njëjti nuk i ka shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sepse nuk i ka apeluar vendimet e PZAP-së të 7 dhe 10 marsit 2021, në Gjykatën Supreme.

“Ndërsa për sa i përket parashtruesit tjetër të kërkesës, përkatësisht PLE, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Veton Berisha, Aktgjykimi sqaron që i njëjti konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme vetëm sa i përket refuzimit për anulimin/shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotime të saktësuara në komunat e Kamenicës, Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut. Megjithatë, Vendimin plotësues të PZAP-së të 10 marsit 2021, që kishte vendosur përkitazi me Mitrovicën e Veriut, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte apeluar në Gjykatën Supreme, duke dështuar për pasojë t’i shterojë mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

“Rrjedhimisht, sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, vlerësimit meritor të Gjykatës i nënshtrohet Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme vetëm përkitazi me refuzimin e anulimit/shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotimet e saktësuara në komunat e Kamenicës dhe Graçanicës, respektivisht”, tha Gjykata Kushtetuese në njoftimin për media.

Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi rikujton që si rezultat i dështimit të arritjes së votave të mjaftueshme për të fituar një vend në Kuvend, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar ankesat/apelet përkatëse në PZAP dhe më pas në Gjykatë Supreme, duke pretenduar që votat e fituara nga Romani Iniciativa ishin “orkestruar dhe koordinuar” me “subjektin politik Lista Serbe” dhe se për pasojë, të gjitha votat që ky subjekt politik i ka fituar dhe që tejkalojnë numrin e votuesve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në vendvotimet përkatëse, duhet të shpallen të pavlefshme dhe të largohen nga rezultati zgjedhor.

“Lidhur me çështjen e parë, Aktgjykimi sqaron që parashtruesi i kërkesës në parashtresën e tij i është referuar edhe një Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, përkatësisht [AA.nr.30/2021], që është nxjerrë pas apeleve të subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak Nasha Iniciativa; Lista Boshnjake Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka, dhe i cili, sipas parashtruesit të kërkesës, bazuar në të njëjtin interpretim të paragrafit 4 të nenit 58 të Kushtetutës, ka anuluar/shpallur të pavlefshme fletëvotimet në të gjitha vendvotimet të cilat ishin kontestuar nga subjektet politike ankuese. Gjykata sqaron që, ky Aktgjykim asnjëherë nuk është kontestuar para Gjykatës dhe për pasojë nuk i është nënshtruar vlerësimit të kushtetutshmërisë së tij”.

“Lidhur me çështjen e dytë, Aktgjykimi sqaron që paragrafi 1 i nenit 64 të Kushtetutës i referohet specifikisht “numrit të votave të vlefshme” në përcaktimin e vendeve të fituara në Kuvendin e Republikës, ndërsa bazat përkatëse ligjore dhe mënyra e shpalljes së votave të pavlefshme është e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullativën tjetër të aplikueshme zgjedhore. Aktgjykimi vë theks në faktin që, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, shpallja e pavlefshme e votave, duhet të jetë e bazuar në bazë të qartë ligjore. Për më tepër, Gjykata thekson që veprat penale kundër të drejtave të votimit janë të përcaktuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pretendimet për shkelje përgjatë procesit zgjedhor, duke përshirë keqpërdorimin e të drejtës së votimit dhe procedurat si të njëjtat adresohen, janë të saktësuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, por edhe në Kodin e Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.

“Në fund, dhe lidhur me çështjen e tretë, përkatësisht efektet e këtij Aktgjykimi, ky i fundit sqaron që, ashtu siç Gjykata ka saktësuar në Aktgjykime paraprake që ndërlidhen me të drejta individuale në konteste paszgjedhore që ndërlidhen me zgjedhje parlamentare, përkatësisht në (i) Aktgjykimin KI207/19, me parashtrues NISMA Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimeve [A.A.U.ZH.nr.20/2019] të 30 tetorit 2019 dhe [A.A.U.ZH.nr.21/2019] të 5 nëntorit 2019 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës; dhe (ii) Aktgjykimin në rastet KI45/20 dhe KI46/20, me parashtruese Tinka Kurti dhe Drita Millaku, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimeve [AA.nr. 4/2020] të 19 shkurtit 2020 dhe [AA.nr.3/2020] të 19 shkurtit 2020 të Gjykatës Supreme, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky Aktgjykim nuk mund të prodhojë efekt juridik prapaveprues në rezultatin e shpallur zgjedhor përkitazi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021”, theksoi njoftimi i GJK-së.