Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka komentuar rrënimin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, të cilin e ka quajtur tempull të kujtesës historike e kulturore të shqiptarëve.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, janë të vetmit në planet që në kohë pandemie po merren me rrëzime e prishje, përcjell Bota sot.
Lauka ka akuzuar Thaçin se bashkë me Isa Mustafën, rrëzoi qeverinë e Albin Kurtit më 25 mars.
Sipas tij, qëllimi i Ramës dhe Thaçit është i njëjtë – ruajtja dhe shtimi i përfitimeve personale ose të klanit të tyre.
Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që të rezistojnë kundër “rrënuesve”.
Postimi i plotë i Laukës:
Rama-Thaҫi ose aleatët e rrënimit
Dy “prijësit” tanë, Hashim Thaҫi dhe Edi Rama janë të vetmit në planet që në kohën e krizës më të rëndë shëndetësore, pas Luftës së Dytë Botërore, në vend që të mendojnë për qytetarët e tyre, siҫ bёnё qeveritё e tjera kudo nё botё, po merren me prishje, rrënime, rrëzime. Thaҫi, në bashkëpunim me Isa Mustafën, rrëzoi qeverinë Kurti, me 25 mars, pa i mbushur ende dy muaj.
Sot, shefi i “Rilindjes”, Rama, rrënoi Teatrin Kombëtar, tempullin e kujtesës historike e kulturore të shqiptarëve, ku shkëlqyen me mjeshtërinë e tyre Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sylejman Pitarka e shumë e shumë aktorë të tjerë të kalibrit botëror.
Qëllimi i Ramës dhe Thaçit është i njëjtë-ruajtja dhe shtimi i përfitimeve personale ose të klanit të tyre.
Vetëm rezistenca dhe aktivizmi i vendosur qytetar, sidomos i të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë, mund të ndalë dorën e këtyre rrënuesve të babëzitur.