Në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç “vazhdimisht flasin në telefon”.
“Ata krahasojnë qëndrimet e tyre dhe kordinojnë hapat për të ardhmen”, shtoi Lavrov.
Duke komentuar mosardhjen e tij në Beograd në qershor, ministri rus tha se “ata që e pamundësuan me urdhër të ‘bosëve’ të tyre duhet të kuptojnë se ‘djallëzitë’ e tyre nuk mund të tronditin marrëdhëniet ruso-serbe”.
Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, thuhet se Lavrov dhe Vulin diskutuan për çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, për angazhimin e ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe koordinimin e ngushtë të përpjekjeve për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.
“Duke marrë parasysh përkeqësimin e fundit të situatës në Kosovë dhe tensionet që janë ende të pranishme atje, u theksua domosdoshmëria e rregullimit të situatës në bazë të respektimit të rreptë të normave të së drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në komunikatë.
Vulin, ministri radikal i Vuçiç-it, ka qenë sot në Moskë, ku ka takuar Lavrovin, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Industrisë Speciale të Rusisë.