LDK e konsideron çmenduri uzurpimin e kompetencave nga ministri Vitia

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka quajtur çmenduri uzurpimin e kompetencave nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, me vendimin e fundit për masat e reja, ku iu kufizohet lëvizja qytetarëve në vetëm 90 minuta brenda ditës, shkruan Insajderi.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për Insajderin se këto masa që janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë, janë luftë personale mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi.

“Prapë në luftë personale me presidentin, kryeministri rrezikon shtetin e së drejtës. Autorizimet dhe përgjegjësitë e Kuvendit, Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Policisë, Gjykatave dhe institucioneve tjera të pavarura, nuk mund të uzurpohen nga kryeministri dhe të delegohen më pas tek ministri i Shëndetësisë”, tha Gashi.

Këto masa të reja të MSh-së vijnë pasi Gjykata Kushtetuese shpalli kundërkushtetues vendimin e qeverisë me të cilin pati kufizuar lirinë e lëvizjes.

Por, Gashi thotë se këto veprime kundërkushtetuese duhet të ndalen menjëherë.

“Kjo çmenduri, me pasoja të rënda në precedentin që po shkakton, duhet të ndalet menjëherë”, ka theksuar Gashi.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët nga e mërkura do të lëvizin vetëm një orë e gjysmë brenda ditës dhe atë në bazë të numrit të parafundit personal. Po ashtu janë paraparë edhe dënime të ashpra për ata që nuk i zbatojnë këto masa.