LDK publikon listën për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë publike listën e 110 kandidatëve për deputetë nga radhët e saj për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Listës i prin Kryetari i LDK-së, nëjherit kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku. Kujtim Shala si zakonisht renditet i treti, Doarsa Kica-Xhelili e treta, Lutfi Haziri i katërti, kryetari aktual i Pejës Gazmend Muhaxheri i pesti.

Ajo që bie në sy në këtë listë është fakti që në top-pesëshen e parë nuk janë dy zyrtarët – aktualisht edhe deputetë – më të zëshëm të LDK-së në kritikat ndaj pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje: Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.

Bajrami renditet e gjashta, ndërsa Hoti, i cili ka qenë edhe kryeministër nga radhët e LDK-së, mban numrin 13.

Edhe më poshtë në listë është renditur një zyrtar tjetër tejet kritik ndaj pushtetit, deputeti Driton Selmanaj. 26 është numri që ka Selmanaj në listën e LDK-së.

Ajo që është lehtë e vërejtshme është fakti se personat që kanë ardhur rishtazi në LDK, që konsiderohen prurje të Abdixhikut, qëndrojnë mirë në renditje.

Doarsa Kica-Xhelili ka numrin tre në listë, ndërsa ka pak më shumë se dy vite që kur iu është bashkuar LDK-së, pasi që braktisi Partinë Guxo.

Mirë në listë sa i përket renditjes qëndrojnë edhe dy prurje të tjera të Abdixhikut: Jehona Lushaku-Sadriu dhe Sibel Halimi – e para ka numrin nëntë, ndërsa e dyta 11-të.

Edhe Visar Azemi dhe Berat Rukiqi, po ashtu prurje të Abdixhiku, qëndrojnë mirë: 19 Azemi dhe 20 Rukiqi.