Për herë të parë në Xhaminë e Madhe të Kölnit, DITIB do të dëgjohet sot (14.10.) thirrja e parë e ezanit në orën 13:24, kjo pas një marrëveshjeje me bashkinë e qytetit. Shumë myslimanë e shohin si një plotësim të integrimit në Gjermani, shumë gjermanë thonë, se nëse lejohet këmbana e kishës, ka vend edhe për thirrjen e ezanit, por jo pak vetë janë kritikë. Sipas kritikëve kjo do të thotë të tregosh më shumë tolerancë se sa duhet. Sipas një sondazhi të gazetës “Bonner Generalanezeiger” rreth 76% e të anketuarve e refuzojnë thirrjen e muezinit dhe nuk e shohin si të barabartë me jehonën e këmbanës së kishës.
Marrëveshja e xhamisë së Kölnit DITIB me bashkinë e qytetit është një projekt model ka kufizime të forta. Kështu thirrja e ezanit nuk duhet të jetë më e lartë se 60 decibel tek banorët. Sipas “Kölner Stadt Anzeiger”, thirrja dëgjohet vetëm 100 metra më larg se xhamia. Thirrja e ezanit nuk do të buçasë nga minaretë, por nga megafonë të vendosur në oborr. Duhet kujtuar, se nuk është thirrja e parë e ezanit në Gjermani. Në Dyren psh ajo ka 30 vjet që dëgjohet dhe nuk shkakton tani më shumë se një ngritje supesh sipas “Deutschland funk”.
Abdurrahman Atasoy, zëvendëspresideni i Shoqatës së Përgjithshme DITIB është shprehur se “ky është një hap i rëndësishëm në perceptimin e komunitetit besimtar mysliman si pjesë të shoqërisë.” Mbështetje për thirrjen e ezanit vjen nga kisha katolike. Kreu i dioqezës së Kölnit, Robert Kleine tha për agjencinë katolike të lajmeve, kna, se e drejta bazë e ushtrimit të lirisë së fesë vlen edhe për komunitetet myslimane në formën e thirrjes së muezinit. “Këtu bëhet fjalë për një të drejtë kushtetuese, që nuk duhet të relativizohet me referimin tek intoleranca fetare apo instrumentalizimin politik të fesë në pjesë të tjera të botës.”
la/ag