“Liberalizimi i vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme”

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, përmes një postimi në Twitter ka potencuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është urgjente dhe e rëndësishme.

Sipas Mandl, Kosova ka përmbushur tash e një kohë të gjatë kriteret për liberalizimin e vizave.

“Në programin qeverisës të Gjermanisë në mënyrë eksplicite përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo është urgjente dhe e rëndësishme. Kriteret janë përmbushur për një kohë të gjatë. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë rënë dakord prej kohës dhe duhet mbështetje e plotë parlamentare”, ka shkruar Mandl, në Twitter.

Ndryshe, marrëveshja e re e koalicionit mes socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe Liberalëve në Gjermani që do të formojnë qeverinë e re federale kanë vendosur Shqipërinë dhe Kosovën mes pikave kryesore të politikës së jashtme gjermane, ku theksi mes tjerash është vënë te nevoja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet mes tjerash në marrëveshjen e koalicionit mes partive në Gjermani.