Historitë e luftës së popujve të Ballkanit ngjasojnë shumë me njëra-tjetrën.
Ndërtimi i Kishave Ortodokse Serbe në prona private nuk është diçka e pazakontë në këtë pjesë të gadishullit Ballkanik, sidomos në pronat shqiptare dhe ato boshnjake, shkruan Reporteri.net.
Vetëm pesë ditë pas nisi shembja e një Kishe Ortodokse që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e një gruaje muslimane të Bosnjës, serbët provokuan në Kosovë duke mbajtur një liturgji në kishën e ndërtuar në objektin e kampusit të Univeristetit të Prishtinës, për herë të parë që prej vitit 1998.
Për dallim nga Fata Orloviq, e cila e fitoi betejën, Universiteti i Prishtinës ishte treguar
i pakujdesshëm.
Universiteti i Prishtinës, në vitin 2015 kishte humbur betejën ligjore ndaj kishës ortodokse serbe të ndërtuar në oborrin e kampusit të UP-së, pasi përfaqësuesit e saj ligjor nuk ishin paraqitur në seancën kryesore në gjykatë lidhur me kontesin rreth pronës.
Gazeta Online “Reproteri.net”, ka tentuar të kontaktojë me rektorin e UP-së lidhur me mbajtjen e liturgjisë, por ai nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës.
Si e humbi UP betejën ligjore
Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shpesh shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.
Në vitin 2017, Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse.
Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’.
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta kondsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pa funksionalizuar.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të atij viti thuhej se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.
Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.
“Pretendimet ankimore te palës paditëse se me datën 17.11.2015 dhe me datë 18.11.2015 para ndërtesës se rektoratit ka pasur protesta prej disa dhjetëra punëtorëve, kjo gjykate i konsideroi si të pabazuara sepse kjo nuk ishte pengesë që ata të mos marrin pjesë në seancë. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të debitorëve, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”, thuhej në vendim.
Në vitin 2019 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka iniciuar përsëri padi ndaj kishës ortodokse lidhur me kampusin e UP-së.
Gjithashtu, kësaj radhe UP ka paditur edhe Komunën e Prishtinës për shkak te mosanulimit të rregullativës ligjore “diskriminuese”.
Baza e padisë është vërtetimi i të drejtës së shfrytëzimit dhe kthimi i posedimit.
Padia ka të bëjë me pronën prej 4.27.15 hektarë, e cila sipas paditësit ka qenë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar prej saj, duke qenë se e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e kampusit universitar sipas Planit Detal Urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.Si provë, paditësi ka sjellë Planin Urbanistik të Qendrës Universitre, Prishtinë -Gz-KSAK nr.54/75.
Në padi thuhet se e akuzuara e parë – Komuna e Prishtinës, pa bazë të vlefshme juridike e në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Planin Detal Urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë ia ka dhënë një pjesë të kompleksit universitar në shfrytëzim më 26.09.1990 në shfrytëzim të paditurës së dytë Kishës Ortodokse, e cila në sipërfaqen prej 0.54.12 hektar ka ndërtuar objekt fetar – kishë, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 hektarë.
Në këtë mënyrë, sipas padisë, e paditura e parë – Komuna e Prishtinës, në mënyrë të kundërligjshme/ në kundërshtim me planin Detal Urbanistik, ia ka dhënë në shfrytëzim, kurse nga ana tjetër, e paditura e dytë, Kisha Ortodokse Serbe pa bazë dhe në mënyrë të kundërligjshme e ka marrë atë dhe në të njëjtën pjesë ka ndërtuar kishën “Sveti Sava”, me oborr dhe objekt përcjellës.
Prandaj, paditësi pretendon se ka të drejtën ligjore të shfrytëzimit të patundshmërisë që është objekt i padisë dhe i propozon gjykatës që paditësit t’ia kthejnë në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar këtë patundshmëri.
Si e fitoi gruaja boshnjake kontestin me kishën e ndërtuar në oborrin e saj?
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, urdhëroi shembjen e Kishës, që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e Fata Orloviqit. Kjo e fundit, ishte detyruar që të largohej nga shtëpia e saj gjatë luftës më 1992-1995.
Më 1993 serbët kishin dëbuar banorët muslimanë të këtij fshati për në Srebrenicë, që ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, por që dy vjet më vonë, rreth 8.000 burra dhe djem muslimanë u vranë. Kjo konsiderohet si mizoria më e tmerrshme në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Dy gjykata ndërkombëtare, masakrën në Srebrenicë, e kanë cilësuar si gjenocid.
Bashkëshorti i Fatas, së bashku me 20 anëtarë të tjerë të familjes, ishte vrarë nga forcat serbe në masakrën e Srebrenicës më 1995.
Fata Orloviq, që tashmë është 78-vjeçare, dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes, kishin arritur t’i shpëtonin masakrës, por më pas kur u kthyen në shtëpi, e panë se vetëm disa metra nga shtëpia e tyre, kishte nisur ndërtimi i një kishe.
Gjykata vendosi se ndërtimi i kishës më 1998 ishte ilegale dhe urdhëroi autoritetet që të sigurohen që ky objekt do të shembej.
Vajza e Orloviqit, Hurija Kariq tha se shembja e kishës ishte “fitore për nënën time dhe për të gjithë familjen, si dhe fitore për gjithë Bosnje dhe Hercegovinën”.
Që prej vitit 2000 kjo familje ka zhvilluar beteja gjyqësore për shembjen e kësaj kishe.
Ky rajon është kontrolluar nga serbët që prej përfundimit të luftës, kur Bosnja u nda në dy entitete – Federata e mslimanëve dhe kroatëve dhe entiteti i udhëhequr nga serbët, që njihet edhe si Republika Srpska. Këto dy entitete kanë qeveritë e tyre përkatëse dhe kanë edhe institucione të përbashkëta qendrore.