Atë që Tirana s’e bëri dot, për të patur një xhami në linja moderne në qendër të saj, sipas projektit të studios BIG nga Danimarka, do e ketë Ljubljana, kryeqytet i Sllovenisë.
Punimet e atyshme kanë përfunduar dhe kompleksi do të hapet zyrtarisht në qershor, konfirmoi Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame në Republikën e Sllovenisë, Nevzet Poriç.
“Të gjitha punimet janë bërë tashmë. Gjithçka është gati dhe xhamia, nëse do Zoti, do të hapet zyrtarisht në qershor. Sa i përket xhamisë, gjithçka është gati. Në dhjetë ditët e ardhshme do të fillojmë të përdorim xhaminë. Gjithçka është e vendosur dhe mbaruar kështu që ne mund të fillojmë ta frekuentojmë atë “, tha Poriç.
Ai theksoi se bashkësia Islame ishte e kënaqur me pamjen e xhamisë.
“Është një xhami që i është përgjigjur epokës moderne. Kemi pritur për këtë xhami për pesëdhjetë vjet dhe jemi të kënaqur që tashmë e kemi”, tha Poriç.
Kompleksi, i cili përfshin xhaminë dhe qendrën kulturore islame, është ndërtuar mbi pak më shumë se 12,000 metra katror.
Investimi ka kushtur rreth 34 milion euro.
Financiuesi është shteti i Katarit.