Tregtia ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë duket se i ka rezistuar disi sanksioneve, teksa shihet se në 6-mujorin e parë të vitit 2022, importet në sasi nga Rusia kanë shënuar rënie me 60 për qind në 6-mujorin e parë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Në vlerë rënia ka qenë disi më e ulët me rreth 19%, pasi çmimet e mallrave që blihen në Rusi ka pësuar rritje të ndjeshme këtë vit sidomos pas luftës në Ukrainë.
Në të kundërt eksportet shqiptare në Rusi ndonëse me vlerë tejet modeste, me vetëm 12 milionë lekë janë rritur me rreth 55% këtë vit. Në janar-qershor 2022 ato arritën në 12, 3 milionë lekë nga 7.9 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Pas nisi lufta në Ukrainë në fund të shkurtit të këtij viti, Rusia u përfshi në një seri sanksionesh nga shtete e tjera Europiane shumica e të cilave ishin në fushën e tregtisë. Por burimet nga Dogana pohuan se, gruri që është produkti më i importuar nga Rusia ka vijuar normalisht pasi qeveria shqiptare nuk e ka përfshirë atë në sanksionet tregtare.
Të dhëna më të detajuara tregojnë së rënia e sasive të importeve vjen kryesisht prej sasive më të pakta të grurit dhe naftës.
Tregtarët shqiptarë të frikësuar nga efektet e luftës kanë tentuar të diversifikojnë burimet e furnizimit. Një sasi e gruri që vinte nga Rusia tashmë blihet në Serbi dhe nafta nga tregjet e tjera të Europës.