Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë dhe rreth 30 të tjerë të plagosur, gjatë një proteste në Bejrut, Liban, të mbajtur kundër hetuesve që po merren me çështjen e shpërthimit në portin e qytetit, vitin e kaluar.
Të shtëna me armë u raportuan pasi mbështetësit e Lëvizjes Hezbollah dhe Amal kërkuan largimin e gjyqtarit Tarek Bitar. Ata thonë se u sulmuan fillimisht nga snajperët në çatitë e godinave rreth sheshit ku po zhvillohej protesta. CNN raporton se ministri i Brendshëm i Libanit ka thënë që protestuesit kanë përdorur edhe granatahedhëse.
Hetimet mbi shpërthimin e vitit të kaluar, ku humbën jetën 218 persona dhe 7000 të tjerë mbetën të plagosur, janë shoqëruar me tensione të mëdha. Protestuesit akuzojnë sistemin e drejtësisë që po përpiqet t’i manipulojë ato.
Nga shpërthimi i vitit të kaluar u shkaktua një dëm ekonomik me vlerë 15 miliardë dollarë, ndërsa rreth 300 mijë persona mbetën pa shtëpi. E gjithë tragjedia ndodhi ndërkohë që vendi po kalonte probleme të mëdha ekonomike.