Gjenerali shqiptar në pension i Ushtrisë Kroate, Rahim Ademi u largua nga anëtarësimi i Asamblesë së Përgjithshme Kroate, pasi u ballafaqua me një të papritur.
Konkretisht, ceremonia e ndarjes së një çmimi për Ademin për një libër të tij javën e kaluar, nuk është mbajtur në ambientet e Asamblesë së Përgjithshme të Kroacisë në Zagreb, siç ishte paralajmëruar më herët në media.
Ndodhi kjo pas një vendimi për mosorganizimin e ceremonisë në ambientet e Asamblesë, ndaj dhe gjeneral Ademi u detyrua të gjente një vend tjetër për ndarjen e çmimit nga Shoqata e Veteranëve Kroatë të Luftës së Atdheut 91, e cila e shpalli librin e Ademit si më të mirën me temën e Luftës Atdhetare në konkursin e 16 titujve.
Një vendim i tillë i Asamblesë së Përgjithshme të Kroacisë ishte shkas që gjeneral Adem të largohej nga anëtarësimi në këtë shoqate.
“Për një kohë relativisht të gjatë, isha i bindur se Asambleja e Përgjithshme Kroate (HGZ) ishte një shoqatë e nderuar dhe shembullore, aq më tepër që disa nga anëtarët e saj ishin vërtet të tillë, por sa naivisht besoja se kushdo që e dinte se kush isha dhe çfarë ishte kontributi im gjatë Luftës së Atdheut, të fliste dhe të dëshmonte në gjykatë vetëm dhe ekskluzivisht të vërtetën kur u akuzova rrejshëm fillimisht në Gjykatën e Hagës dhe më pas në gjykatat kroate, aq naivisht besoja se të gjithë gjeneralët kroatë ishin ata që duhej të ishin. Gabova, pasi nuk ka ujë të pastër kudo.
Unë kurrë nuk jam marrë me politikë, por politika është marrë me mua, ndaj besoj që as HGZ nuk duhet të politizohet.
Nuk më intereson më se çfarë mendojnë individët, sepse për mua është më e rëndësishme se çfarë mendojnë dhe thonë për mua ushtarët, oficerët dhe nënoficerët kroatë me të cilët kam luftuar gjatë gjithë Luftës së Atdheut. Dhe kulmi i pakënaqësisë sime dhe shkas për t’u larguar nga HGZ ishte mbledhja e Këshillit Drejtues të HGZ-së, ku më ndaluan të më dhuronin pllakën e madhe të artë ‘Ishim të parët kur u desh’ që mu akordua nga Shoqata e Veteranëve Kroatë të Luftës Atdhetare në vitin 1991, në bashkëpunim me shoqatat e tjera të dala nga Lufta Atdhetare, megjithëse tashmë ishte rënë dakord që ajo të ishte më 5 tetor 2022 në orën 11:00.
Me këtë vendim më ofenduan thellë, më poshtëruan dhe silleshin sikur të isha gjeneral çetnik. Epo, zotërinj, hapësira HGZ nuk është pronë private, kështu që unë si anëtar kam të drejtë ta përdor një herë në jetë. Në vend që të gëzoheshin që anëtari i tyre mori atë çmim të madh, po atë mbrëmje dikush nga Bordi Drejtues u dha portaleve një lajm të rremë ‘se gjeneral Ademi kërkoi promovimin e librit të tij nga HGZ’, gjë që është gënjeshtër.
Në fund i them pjesës së atyre që mbetën në atë shoqatë se nuk do t’i përulem siç nuk kam bërë askujt. Shpresoj se do të kenë të paktën pak turp që kanë rënë kaq poshtë dhe janë braktisur nga një gjeneral i ndershëm lufte. Ndaj po largohem dhe nuk më vjen keq. Do të kontaktoj me njerëz të nderuar dhe miq të mi nga HGZ në vende të tjera”, thotë gjeneral në pension Ademi.
Kujtojmë se gjenerali shqiptar është ndër më të famshmit e përballjes me ushtrinë serbe në nisjen e luftrave në ish-Jugosllavi.