Nga Vilson Sinishtaj
Malësia, atdheu ynë, po përballet sërish me një sfidë jetike. Zëri i mëmëdheut, zëri i nënës sonë, zëri i deshmorve, zëri i shpirtit tonë po na thërret përsëri. Nuk ka zë më të ëmbël se sa zëri i nënës dhe zëri i vendlindjes, prandaj përgjigja e diasporës do të jetë gjithashtu e ëmbël dhe afirmative. Armiku antishqiptar, i cili me dekada ushtroi presion institucional mbi shqiptarët, i rikthehet sërish zgjedhjeve lokale në Malësi.
Ishte viti 2019 kur diaspora e pa se duhej një mobilizim dhe bashkatdhetarët tanë nga SHBA-ja, por edhe nga vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët, erdhën për të votuar në zgjedhjet lokale të atij viti. Bashkimi i partive shqiptare të atij viti, bashkimi i idealeve tona, bashkimi mbarëshqiptarë, na dha detyrim moral dhe kombëtar që të vinim në menyrë masive për të votuar. Dhe ne ia arritëm qëllimit. Shqiptarët u bënë Zot shtëpie në vend të vetë. Malësia merr frymë shqip. Malësia nën administrimin e shqiptarëve po përparon në çdo drejtim, duke e zhvilluar vendin me hapa gjigantë krahasuar me të kaluarën. Malësia tani është bërë një vend i preferuar për investime, për projekte, për ndërtim, për sport, për kulturë, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, për punë dhe për vazhdimin e jetës dhe rritjen e familjes. E gjithë kjo u arrit falë bashkimit të shqiptarëve. Ne në diasporë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve, prandaj po bëjmë hapa organizativë për të shkuar në vendlindje dhe për të votuar si kurrë më parë.
Organizimi në Michigan është par excellence, duke filluar nga shoqatat shqiptare, qendrat fetare dhe grupet e organizuara enkas për këto zgjedhje një nder të cilat ishte edhe vendimtare në zgjedhjet e vitit 2019, si dhe individët. Kater shoqatat shqiptare që veprojnë në Michigan dhe rrjedhin nga trojet e komunës së Tuzit dolën me mbështetje të unifikuar për Forumin shqiptar, duke i ftuar shqiptarët kudo që janë nëpër botë të bëjnë sakrifica për mbrojtjen e atdheut dhe duke cituar Isa Boletinin, “unë jam mirë, kur asht mirë Shqypnia”, diaspora tregon qartë se ata janë mirë vetëm kur bashkatdhetarët dhe atdheu i tyre janë mirë.
Pritet ardhje masive e bashkatdhetarëve nga diaspora për të votuar në Malësi. Shqiptarët, të gjithë së bashku, janë gati të kthehen në atdheun e tyre dhe të votojnë për identitetin dhe shpirtin e tyre, dhe ai është Forumi shqiptar, i përbërë nga bashkimi i partive shqiptare, apo më mirë të themi i përberë nga shqiptarët e bashkuar. Diaspora gjithmonë ka ëndërruar t’i shohë shqiptarët të bashkuar, si në kohën e Skënderbeut, dhe tani që kjo është arritur, diaspora është e gatshme të mbështesë bashkimin shqiptar dhe fitoren unifikuese në çdo mënyrë.
Për ata që nuk janë të njoftuar apo të informuar mbi gjendjen dhe pozitën politiko-shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në Komunën e Tuzit, shtrohet pyetja pse zgjedhjet lokale në këtë komunë janë ipso facto të rëndësishme për mbarë kombin shqiptar? Fatkeqësisht, përgjigjen e gjejmë në vuajtjet që ka kaluar populli ynë gjatë gjithë kësaj kohe. Sa për fillim, ia vlen të shikojmë shifrat statistikore, sa ishte numri i shqiptarëve në fillim dhe në mes të shekullit të 20-të dhe sa është tani. Fatkeqësisht, një rënie drastike, e cila ishte rezultat i politikës së vazhdueshme shtetërore, qoftë komuniste apo më pas kuazidemokratike, me qëllim shtypjen e shqiptarëve, me synim të asimilimit të tyre, me synim të pakësimit të tyre.
Prandaj, presioni i shtetit dhe shpërfillja dhe lënia pas dore e qëllimshme e vendbanimeve ku jetonin dhe jetojnë shqiptarët, detyroi shumë shqiptarë të largohen nga vendi i tyre, për një jete më të mirë, një jetë që të jep të drejtën për të qenë të lirë. Pastaj shqiptarëve u mohua gjuha, gjuha shqipe nuk ishte fare e pranishme në asnjë institucion deri në vitin 2019. Ata qëllimisht dëmtuan edhe sistemin arsimor të shqiptarëve, duke u përpjekur të deformojnë historinë. Përsa i përket flamurit shqiptar, as që bëhëj fjalë, u deshtë të pritej deri në vitin 2020 që të fitohej nje farë drejte e kufizuar. Madje, shqiptarët u përpoqën t’i bënin edhe terroristë, përmes “Fluturimit të shqiponjës”, aksionit famëkeq të montuar politik, ku shqiptarët u burgosën padrejtësisht, ku i vetmi “faj” i tyre ishte se ishin shqiptar. Prandaj është e një rëndësie vendimtare që edhe shtetet tona shqiptare të informohen për nevojat e Malësisë
Nën ombrellën e institucioneve shtetërore, u nxit përçarja dhe ndarja artificiale mes shqiptarëve, të cilës shqiptarët u përgjigjen më së miri me bashkim dhe unitet vëllazërorë.
Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. Më 5 mars, shqiptarët zgjedhin mes vëllait dhe urrejtësit, midis gjuhës shqipe dhe gjuhës së huaj, midis flamurit shqiptar dhe flamurit të Knjazit, midis Skënderbeut dhe Hamza Kastriotit, midis atdheut dhe kuinslingëve, midis nënës dhe njerkës, midis ruajtjes së identitetit dhe asimilimit. Prandaj shpresojmë dhe presim që shtetët tona shqiptare të na mbështesin në këtë mision të shenjtë, ashtu siç na kanë suportuar 4 vite më parë.
Jemi më se krenarë që organizimi i diasporës për këto zgjedhje është një nga organizimet sui generis më të shkëlqyera shqiptare të shekullit të 21-të, sepse numri i bashkatdhetarëve tanë nga diaspora që do të vijnë në Malësi do të jetë aq i madh sa e gjithë Malësia do të lulëzojë në ngjyrat kuq dhe zi. Është koha që ata që janë kundër gjuhës shqipe, kundër identitetit shqiptar, kundër kthimit të tokave shqiptare, ata që përpiqen të ndajnë vëllanë me vëlla, ata që duan të pakësojnë numrin e shqiptarëve, ata që duan të getoizojnë Malesinë, që përfundimisht të shkojnë në anën e errët dhe të harruar të historisë. Malësia dhe Malësorët janë të bashkuar dhe unik dhe shqipëtaret e bashkuar asnjeherë nuk kanë dështuar. Ftojmë të gjithë popullin shqiptar të festojmë së bashku fitoren e Forumit shqiptar më 5 mars në Malësine tonë.