Në fillim të qershorit Mali i Zi do të hap kufijtë për disa vende, por jo edhe për Serbinë. Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka thënë se kufiri hapet për vende që plotësojnë kriterin epidemiologjik e që në këtë moment janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Çekia, , Hungaria, Shqipëria e Greqia.
Në mbrëmje ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Ajo ka thënë se qytetarët e Serbisë mund të shohin që nuk janë të dëshiruar në Mal të Zi.
Brnabiq ka theksuar se kufijtë e Serbisë nuk do të jenë mbyllur për banorët e Malit të Zi, por do të mbyllen për mafiozë nga Mali i Zi dhe klane kriminale.
“Do të vazhdojmë ende të sillemi me përgjegjësi dhe të flasim të vërtetën”, ka thënë Brnabiq, që vlerëson se vendimi i Mali të Zi nuk ka të bëjë me numrin e të prekurve.
“Nuk do t’ua ndalojmë qytetarëve të Malit të Zi që të hyjnë në Serbi, por do t’ua ndalojmë kriminelëve dhe klaneve mafioze nga Mali i Zi. Ky qëndrim i kryeministrit malazez ka dërguar porosi të qartë për qytetarët. Do të bëja lutje që qytetarët të rrinë në Serbi dhe mos të shkojnë atje ku serbët janë të padëshiruar”, ka shtuar Brnabiq, raporton “b92.net”.