Malltezi në pranga, Berisha “detyrim paraqitjeje”, kreu i Rithemelimit: Akuza pa asnjë bazë, sulm politik

Sali Berisha ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat pas arrestimit të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, me urdhër të SPAK, dhe pas vendosjes së masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje ndaj tij” për çështjen e ish-kompleksit Partizani.

Kreu i Rithemelimit, nga selia blu deklaroi se akuzat ndaj tij dhe dhëndrit të tij janë të pa baza ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama “për sulme të mirëfillta politike.”

Berisha bëri të ditur se është informuar se ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv dhe larje parash. Ndërsa shtoi, se Malltezi u ndalua teksa priste bashkëshorten që të kthehej nga jashtë vendit.
“Ndalohet pa u marrë kurrë në jetën e tij në pyetje për asnjë problem, nga asnjë prokuror, apo gjykatës i vendit,” deklaroi Berisha.

Drejtuesi i grupit të “Rithemelimit” theksoi se përdorimi i gjykatës nga partia, siç u shpreh ai, nuk do ta ndalë qëndresën e opozitës.

Lidhur me këto akuza, deklaroj që në krye: se janë absolutisht pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Rramës dhe jo vetëm atij.

Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij kundër meje, dhe ndaluar familjarët e tij si kundërshtar politik, në momentin kur opozita ka nisur më e vendosur se kurrë, betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit politik, rikthimin e votës së lirë dhe shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, do mund të frenojë dhe godasë aksionin opozitar.
Me këtë rast deklaroj se asnjë manipulim, asnjë veprim i paligjshëm dhe asnjë drejtësi e instrumentalizuar nuk mund të ndalojë qëndresën pa kthim të opozitës deri në fitoren e plotë të saj.
Këto masa dhe çdo masë tjetër, e karakterit strikt politik, vetëm sa shumëfishojnë motivimin e Sali Berishës, bashkëpunëtorëve të tij dhe qindra e mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve në betejën e tyre pa kthim që nisën dy ditë më parë në parlamentin shqiptar.
Në betejën kundër regjimit të Edi Ramës, ndjehem jo më pak i motivuar se 32 vite më parë, në kohën e betejës kundër etërve të tij mizore.
Dhe së shpejti, Sali Berisha, opozita shqiptare, mbështetësit e saj, do i rezervojnë Edi Ramës, fatin e etërve të tij xhelatë.

Sali Berisha, konferencë për mediat