Flamur Maloku ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, pas as një viti prej kur u anëtarësua në këtë subjekt politik.
“Mungesa e mendimit ndryshe që më ka bërë që sot publikisht të dalë me një deklaratë dhe të mos e festoj njëvjetorin e anëtarësimit tim”, është shprehur Maloku, njofton Klan Kosova.
“Kërkoj mendimin ndryshe sepse profesioni im, letërsia ma ka dhënë këtë kërkesë sepse është me rëndësi për një individ që të ketë mendim ndryshe dhe ai të respektohet. Pas një reagimi që kam pas ndaj Shkëlzen Gashit kam marrë shumë mesazhe se gjoja jam kundër Albin Kurtit dhe kjo më ka frikësuar”.
Maloku ka treguar në edicionin special në Klan Kosova se pas kësaj ka marrë mesazhe nga shumë militantë të VV-së.
“Kanë menduar se unë e respektoj vetëm një mendim. Jeta e tjetrit dhe mendimi ndryshe janë vlerë. Vendimi, dorëheqja ime s’ka qenë e lehtë. Mendimi ndryshe nuk është parë mirë nga disa. Jeta ime akademike e pëlqen mendimin ndryshe”.
“Në VV kam vërejt gjuhë të urrejtjes dhe kam kërkuar që të ndalet. Nuk kam parë distancim ndaj kësaj gjuhe prej zyrtarëve të lartë. “Vdekja e kundërshtarëve” është e padrejtë. Kam insistuar që kjo gjuhë të ndalet dhe nuk kam gjetur përkrahje”.
Maloku ka theksuar se në mes të SHBA-së dhe një lideri politik, ai gjithmonë zgjedh të parën.
“Falë Amerikës ekziston Kosova”.