Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili ka reaguar në Facebook përmes një statusi të gjatë për shkelje të procedurave ligjore në pranimin e produksioneve të pavarura në RTK, duke përmendur këtu emisionet e BIRN dhe Jeta Xharrës.
Sipas tij, më 6 gusht 2025 ai ka marrë gabimisht email që përmbante udhëzime për favorizimin e këtij produksioni në procesin e aplikimit, pa u zhvilluar konkurs publik siç e kërkon Ligji për RTK-në.
Halili ka publikuar disa e-maile, ku specifikohen kushtet të cilat duhet t’i zbatojë BIRN-i, duke thënë se ka shkelje të mëdha ligjore, madje e ka quajtur edhe procedurë korruptive.
Ai ka theksuar se procesi nuk është diskutuar apo miratuar në asnjë mbledhje të menaxhmentit dhe se veprimi bie ndesh me parimin e konkurrencës së hapur për projekte që financohen nga fondet publike.
“Sipas nenit 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik. Në këtë rast nuk ka pasur konkurs, çka përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur për projektet që financohen nga fondet publike ose përmes hapësirës publike me pagesë. Ky veprim është veçanërisht shqetësues në rrethanat kur RTK po përballet me sfida të mëdha financiare dhe punëtorët ende nuk i kanë marr pagat e muajit korrik. Përgatitja e një kërkese të personalizuar për një subjekt të veçantë, pa hapur garë publike, dëmton integritetin institucional dhe besimin e publikut”, ka shkruar drejtori i Radio Kosovës më tutje.
Nga të dhënat e publikuara, produksioni në fjalë ai thotë se ka përfituar mbi 2.2 milionë euro nga RTK në të kaluarën përmes marrëveshjeve të dyshimta dhe jashtë procedurave të rregullta të prokurimit publik.
Halili në reagimin e tij në Facebook, ka kërkuar nga Bordi i RTK-së, organet mbikëqyrëse, Agjencia Kundër Korrupsionit, hetuesia dhe Prokuroria që të hetojnë rastin.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“U KALL LOJA” ME PARANË PUBLIKE
Deklaratë Publike
Shkelje e procedurave ligjore në pranimin e produksioneve të pavarura në RTK
Më 6 gusht 2025, kam pranuar në mënyrë të paqëllimshme një email që ishte dërguar në adresën time gabimisht. Pas shqyrtimit të tij, identifikova probleme serioze lidhur me mundësinë e shkeljes së Ligjit për RTK.
Emaili, i dërguar në kuadër të një strukture të brendshme të RTK-së, përmbante udhëzime të detajuara nga Udhëheqësja e Zyrës Ligjore në RTK, për ta favorizuar një subjekt privat ( produksion i jashtëm) duke e udhëzuar atë mbi mënyrën e përgatitjes së aplikimit dhe përmbajtjen e kërkesës për aplikim në RTK.
Ky proces nuk është diskutuar apo miratuar në asnjë mbledhje të menaxhmentit.
Sipas nenit 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik.
Në këtë rast nuk ka pasur konkurs, çka përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur për projektet që financohen nga fondet publike ose përmes hapësirës publike me pagesë.
Për më tepër, në paragrafin 3 të këtij neni thuhet se “Për hir të racionalizimit ë shpenzimeve dhe ekonomizimit të punës, RTK-ja duhet tě angazhohet që me burimet e saj njerëzore dhe teknike, që ka në dispozicion, të mbulojë skemën programore me sa më shumë prodhime të producentëve dhe të punonjësve në institucion.”
Ky veprim është veçanërisht shqetësues në rrethanat kur RTK po përballet me sfida të mëdha financiare dhe punëtorët ende nuk i kanë marr pagat e muajit korrik.
Përgatitja e një kërkese të personalizuar për një subjekt të veçantë, pa hapur garë publike, dëmton integritetin institucional dhe besimin e publikut.
Edhe kompenzimi (pagesa) permes sekondave te marketingut pa një proces të hapur e konkurrues, është po ashtu i paligjshëm, pasi marketingu është e hyrë (para) që i mundësohet një subjekti të favorizuar.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se në të kaluarën, ky subjekt ka përfituar mbi 2.2 milionë euro nga RTK përmes marrëveshjeve të dyshimta antiligjore madje edhe pa procedurave të rregullta të prokurimit publik.
Ftoj anëtarët aktualë të Borditl të RTK-së organet tjera mbikëqyrëse, Agjencinë kundër Korrupsionit, hetuesinë dhe Prokurorinë që të shqyrtojnë menjëherë këtë rast me elemente serioze korruptive, të verifikojnë procedurat dhe të garantojnë transparencën në çdo bashkëpunim të ardhshëm.
Ky reagim bazohet në fakte dhe dokumente të verifikueshme, të cilat janë të gatshme për t’u paraqitur tek çdo institucion kompetent.
Dua gjithashtu të bëj të ditur se disa ditë pasi kam pranuar këtë email, kumara i kësaj ngjizjeje korruptive së bashku me tygjarën mediale në Kosovë, në tentativë për ta konkretizuar marrëveshjen korruptive, janë bërë bashkë në përpjekje për ta njollosur publikisht emrin tim përmes disa postimeve në media sociale dhe platforma të tjera. Përgjigjen dhe sqarimet e plota rreth këtyre përpjekjeve do t’i trajtoj në mënyrë të detajuar në episodin e ardhshëm të komunikimit tim publik.
Qëndroj i përkushtuar për të mbrojtur integritetin tim personal dhe institucional dhe për t’u përballur me çdo akuzë apo keqkuptim me fakte dhe dokumente të plota.
Si Drejtor i Radio Kosovës, mbetem i përkushtuar për të garantuar ligjshmëri, transparencë dhe mbrojtje të interesit publik në çdo proces që përfshin transmetuesin publik.
Prishtinë, 11 gusht 2025
Arsim HALILI
Drejtor
Radio Kosova
Presidentja e Kosova, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen…
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…