Masat e BE-së ndaj Kosovës/ Albin Kurti: Të padrejta, s’bëjmë kompromise me ligjin dhe Kushtetutën

Kryeministri i Kosvës, Albin Kurti ka reaguar pas masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj vendit.

Albin Kurti i ka cilësuar si të padrejta masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutiv më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra”, është shprehur Kurti

Kurti ka theksuar se shteti i Kosovës nuk mund të bëjë kompromis duke shkelë sundimin e ligjit e as kushtetutshmërinë.

“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka theksuar Kurti gjatë përurimit të parkut të ri, në fshatin Davidoc të Shtimes.

Ndërkaq masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës për qëndrimin e saj për tensionet në veri të Kosovës, kanë të bëjne me pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, refuzimi i Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Sipas Bashkimit Evropian, autoritetet e Kosovës janë njoftuar që më 28 qershor për këto masa. Ndërsa theksohet se këto masa janë të përkohshme dhe mund të anulohen në varësi të zhvillimeve në terren mbi vendimet që do të çojnë në çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

BE i kërkon Kosovës që të pezullojë menjëherë operacionet e policisë në afërsi të ndërtesave të komunave në veri të Kosovës, dhe kryetarët e komunave të ushtrojnë detyrat e tyre nga ndërtesa të tjera, të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në të katër komunat dhe të marrin pjesë serbët që jetojnë në ato komuna.

Në këtë kuadër faktori ndërkombëtar i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Sa i përket Beogradit BE i kërkon që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet e reja lokale.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një plan prej 4 hapash për Kosovën dhe 4 kushtesh për Serbinë për të zgjidhur krizën në veri, por sipas tij, e gjitha kjo nuk duhet të cenojë sundimin e ligjit. Ashtu siç ka deklaroi edhe sot se nuk do të bëhet kompromis në kurriz të ligjit dhe kushtetutës së Kosovës.