Mbi 300 banorë të Klinës kanë protestuar në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos. Banorët që po e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike, thonë se ndërtimi i saj do të shkaktonte ndotje të madhe të rajonit të Dukagjinit.
Pankartat ishin me mbishkrime të ndryshme si “Stop Ndotjes”, “Mos ndërhyni në tokën tonë”, “Fabrika e Çimentos, jo në Klinë”, “Të parët na e lan këtë tokë”, e të tjera.
Protesta ka moton “Klina lule Dukagjini, e jo kancer i Dukagjinit”.
Rraci tha se organizimin e kanë marrë përsipër që nga momenti kur institucionet lokale hanë hequr dorë për mbrojtjen e ambientit në Klinë.
Kësaj proteste i është bashkuar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha si dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ku kjo e fundit është edhe kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja Pacolli, u tha protestuesve se janë duke e përcjellë këtë proces dhe se po bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Bujqësisë për të gjetur zgjidhje.
Ajo tha se të hënën Qeveria do ta ketë një vendim.
“Çdo investim duhet të jetë investim që siguron të ardhmen e fëmijëve. Nuk duhet të na keqkuptojë askush. As ju si banorë as ne në Parlament nuk jemi kundër zhvillimit. Jemi për mjedis të shëndetshëm”, ka thënë ajo gjendur në mesin e protestuesve.
E deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se është ndalur te protestuesit për t’u treguar se janë në krah të tyre.
“Fabrika nuk mund të ndërtohet aty ku e bën vendin e pabanueshëm. E kemi çliruar me gjak, duhet ta ndërtojmë me pastërti”, tha ai.