Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përgëzuar ndarjen e 40 milionë eurove për Forcat e Sigurisë së Kosovës të mërkurën nga Qeveria.
Mehaj ka thënë se gjatë punës së tij në krye të këtij dikasteri, i ka hapur dyert me aleatët, ndërsa tani është koha që të ruhen marrëdhëniet me ta.
“Ushtria e Kosovës ka nevojë për 1 miliard për tre vjetët e ardhshëm për mbrojtje totale. Të gjithë duhet të kontribuojmë. Ne kemi një synim për të nderuar të rënët, që është integrimi në BE dhe NATO”, ka shkruar ai në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se me propozim-vendimin ndahen kursimet e deklaruara nga organizatat buxhetore në vlerë prej mbi 54.3 milionë euro te projekte tjera ku kanë dinamikë më të shpejtë.
Ai ka thënë se 40 milionë euro nga ato mjete do të ndahen për FSK-në duke arritur shifrën totale mbi 200 milionë euro që është mbi 2 për qind e GDP-së.