Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurrë nuk ka qenë më i mirë dhe më i ngushtë.
Mehaj gjatë raportimit në Komisionin për Çështja të Sigurisë dhe Mbrojtjes tha se kanë marrë konfirmimin se Kosova do të jetë nikoqire e operacionit ushtarak “Defender Europe 2023”.
Ai konfirmoi se Ministria e Mbrojtjes veçse ka filluar përgatitjet për këtë operacion që do të mbahet pas dy vitesh.
“Me datë 25 tetor kemi marrë konfirmimin se Kosova do të jetë vendi nikoqir i “Defender Europe 2023. Kjo ka rëndësi të madhe për ne sepse do të marrim pjesë me dy regjimente. Ne kemi filluar menjëherë përgatitjet si me blerjen e pajisjeve ushtarake që nevojiten për këtë ushtrim”, tha ministri.
Më tutje, Mehaj tha se ky konfirmim dëshmon se Kosova dhe ShBA-të i kanë raportet e mira dhe të ngushta.
“Kjo edhe njëherë e dëshmon bashkëpunimin e ngushtë që e kemi me SHBA-të dhe besimin e tyre ndaj neve. Unë e ritheksojë në plotësi të plotë se kurrë më mirë s’kemi pasur bashkëpunim me ShBA-të sesa që kemi sot. Këtë mundet t’ua konfirmojnë edhe ShBA-të”, ka thënë Mehaj.
Ministri foli edhe për operacionin “Defender Europe 2021” dhe miratimin e disa ligjeve të rëndësishme për FSK-në.
“Është miratuar ligji për marrjen pjesë të FSK-së në misione ndërkombëtare, siç është edhe Ligji për Deminim, Ligji për Policinë Ushtarake që janë në proces. Gjatë muajit maj për 12 ditë me radhë Kosova si rend pritës ka ushtruar operacionin “Defender Europe 2021”, ku ushtrimi ka qenë ndër më të mëdhat që nga lufta e dytë botërore e drejtuar nga ShBA-të. Në këtë ushtrim FSK-ja ka marr pjesë me 330 pjesëtar dhe ka qenë vend nikoqir”, deklaroi Mehaj në Komision.