Pjesëtarët e komunitetit çam që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri vazhdojnë të këmbëngulin në realizimin e disa prej kërkesave dhe atyre që pretendojnë se hyjnë në te drejtat atyre.
Kapitulli i dhimbshëm nis në vitin 1913 dhe 1944-1945, në fundin e Luftës së Dytë Botërore kur u arrit që nëpërmjet një sistemi të planifikuar të spastrimit etnik dhe gjenocidit të shpërngulej 90% e popullsisë së shqiptarëve të Çamërisë drejt Shqipërisë dhe drejt Turqisë dhe të vriten 20% e kësaj popullsie. E ndërkohë sot, në vazhdën e kërkesave tashmë historike, 27 qershori, është prova e një arritje për këtë komunitet, si miratimi i ligjit në parlamentin e Shqipërisë, që njeh 27 qershorin si ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë apo miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë.
Por edhe pse shumë dekada të kaluara nga masakrat ndaj popullatës çame dhe shpërnguljes së tyre, ata sot funksionojnë dhe ngrenë zërin përmes subjekteve politike, shoqatave e nismave që kanë në qendër lobimin për kauzat e tyre dhe një sërë kërkesash që kanë në adresë të shtetit shqiptar dhe Greqisë. E një prej tyre është edhe organizata “Republika Çame”, që ka si përfaqësues të saj, Tasim Mehmetin, i cili foli për këto probleme në A2.
Mehmeti u shpreh se çështja është kthyer në biznes nga drejtuesit e vendit. “Fillimisht është krijuar shoqata “Çamëria”, por gjatë rrugës është sabotuar kjo pjesë. Ne kemi pasur deputetë në parlament nga PDIU-ja, por asnjëherë nuk kanë mbajtur një interpelancë në Bashkimin Evropian. Fryma duhet të shkojë në BE dhe në SHBA. Problemi çam ka rënë në duar që çështjen tonë ata që drejtojnë sot e kanë kthyer këtë çështje në biznes. Ky është një faktor që dihet tashmë. Dule na ngre çështje, ndërsa ne nuk e ngremë zërin. Faji është edhe i yni. Politika shqiptare duhet të zgjohet. Ky është shekulli i shqiptarisë dhe nuk duhet ta kthejmë në biznes”.
Mehmeti u shpreh më tej se nuk kërkohet destabilizim, por thekson se aktualisht po punohet edhe nga brenda Greqisë.
“Ne e kemi shpallë shtetin tonë. Shenja është dhënë me Kosovën dhe tashmë ne duhet ta shpallim autonomia atë. Komuniteti çam duhet të zgjohet, politika shqiptare nuk ka se çfarë të bëjë. Ne do të hyjmë në Çamëri me vallen e Osman Takës. Ne nuk e djegim Shqipërinë për Çamërinë. Do të hymë në Çamëri pa një pushkë. Ne po punojmë edhe brenda territorit me vëllezërit tanë ortodoksë. Unë kam qenë në Greqi në ato zona, po ngremë edhe andej një farë fryme. Edhe shteti grek nuk investon më në ato zona. Ne si shqiptarë të Çamërisë jemi përzënë si myslimanë dhe si shqiptarë. Ata e kanë mbajtur gjuhën, ata flasin shqip. Gjuha dhe zakonet janë si pjesa e Labërisë. Atje duhet pak punë nga brenda. Ne po punojmë, por jo për të krijuar destabilizim atje. Ne jemi në të drejtën tonë”, u shpreh Tasim Mehmeti.