Nga Shaban Murati
1- “Kushdo, që ka studjuar historikun e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, e konstaton lehtësisht se Beogradi, në forma nga më të ndryshmet dhe në të gjitha kohrat, i ka bërë vazhdimisht presion Tiranës, që të mos mbështesë Kosovën dhe ka ushqyer idenë se marrëdhëniet mes dy shteteve mund të avancojnë qetësisht dhe lirisht, pavarësisht se çfarë ka bërë dhe çfarë bën Serbia në Kosovë.
Për inerci apo për motive të tjera, një iluzion diplomatik u krijua në disa zyrtarë të diplomacisë shqiptare edhe në periudhën postkomuniste. Sipas këtij iluzioni diplomatik, Tirana dhe Beogradi mund të zhvillonin qetësisht marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tyre, pavarësisht se çfarë bënte, çfarë kërkonte dhe çfarë pretendonte Serbia për Kosovën. Zyrtarë të diplomacisë shqiptare të periudhave të ndryshme me naivitet ranë pre e këtij iluzioni”.
-Libri “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës”, 2007, fq.92.
2- “Diplomacia e Shqipërisë ka patur predispozicionin negativ, të ndërgjegjshëm apo të pandërgjegjshëm, për të pranuar tezën serbe sipas së cilës çfarëdo që të bëjë Serbia ndaj Kosovës, kjo gjë nuk duhet të prekë marrëdhëniet mes dy shteteve.
Kjo ka shkaktuar që diplomacia e Shqipërisë të mos paraqesë asnjë kusht për Kosovën në tratativat dhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë. Hezitimi i qeverisë së Tiranës për ta konsideruar Kosovën si kusht të zhvillimit të marrëdhënieve me Serbinë, e nxiti Beogradin që t’i bënte Tiranës ofertat për ndarjen e Kosovës mes tyre”.
-Libri “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, 2013,fq.105.
3 – “Tensionet serbe ndaj Kosovës duhet të merren më seriozisht në Shqipëri, sepse ato janë tensione edhe ndaj Shqipërisë. Do të ishte naivitet i madh diplomatik dhe shtetëror, nëse Shqipëria do ta shihte veten të ndarë nga kjo strategji e rrezikshme serbe ndaj Kosovës. Këtë naivitet e ushqejnë disa grupe lobistësh serbë me kombësi shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët synojnë të injektojnë pareshtur qendrimin e rrezikshëm se ajo, që bën Serbia ndaj Kosovës, nuk ka të bëjë me Shqipërinë.
Për fat të keq këto grupe lobistësh serbë me kombësi shqiptare kanë një akses të habitshëm në disa zyra shtetërore në Tiranë dhe në Prishtinë.
Ka qenë një nga boshtet e politikës dhe të diplomacisë së Serbisë me Shqipërinë teza që çfarëdo që Serbia bën ndaj Kosovës, nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Serbia ka dashur dhe do vazhdimisht që të ndajë Shqipërinë me Kosovën, me qëllim që dy shtetet shqiptare të mos jenë një faktor i përbashkët shqiptar i forcës dhe i ekuilibrave në rajon”.