Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se java e dytë e muajit maj do të jetë më e vështira për shtetin e tij por edhe Republikën Serbe të Bosnjës, pasi do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Gjatë një bashkëbisedimi që e kishte me presidentin e këtij entiteti, Millorad Dodik, Vuçiç, i tha atij se me shumë gjasë mëngjesin e 17 majit do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Presidenti serb, vazhdoi sulmet ndaj ndërkombëtarëve, duke pretenduar se Gjermania po bën një fushatë brutale për ta mbyllur me sukses këtë proces në Strasburg.
“Ata do të kenë nga 29 deri në 33 vota dhe u duhet një shumicë prej 31 votash për pranimin e Kosovës, kështu që çdo gjë është në avantazhin e tyre. Deri më 17 maj nuk do të jem gjallë, më pas do të shohim”.
Sërish inatin më të madh e pati me Gjermaninë, pasi sipas tij po mundësojnë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Epo edhe Dodik është i sanksionuar por është këtu pranë meje. Kështu që le të pimë. Ne pimë bashkë një herë në javë, ai mban një gotë raki, unë një gotë vere dhe çfarë pastaj? Nuk është lajm i mirë për ne, por të shpresojmë që të kemi marrëdhënie të mira me partnerët amerikanë”.