Merz mesazh të fortë Rusisë: Kufijtë e Evropës nuk ndryshohen me armë, vizita jonë në Kiev nuk duhet të nënvlerësohet

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, ka dhënë edhe një mesazh të qartë në lidhje me mbështetjen ndaj Ukrainës.

Sipas The Guardian, Merz theksoi se vizita e katër liderëve në Kiev të shtunën duhet të shihet si një sinjal serioz vendosmërie dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Pas kësaj vizite, Merz tha se kaluan të gjithë ditën duke u konsultuar me liderë të tjerë botërorë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, mbi hapat e ardhshëm.

Tutje, Merz e ka vlerësuar qëndrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe guximin e tij për të marrë pjesë personalisht në bisedimet e mundshme të së enjtes me Rusinë, pavarësisht rrethanave tepër të vështira.

“Kjo tregon seriozitetin dhe gatishmërinë për kompromis. Ai është i përgatitur të bëjë gjithçka që mundet për të kapur mundësinë për një armëpushim dhe për bisedime paqeje,” deklaroi Merz.

Ai më tej ka shtuar se kërkesat për lëshime të mëtejshme ndaj Rusisë janë “tashmë të papranueshme”, pasi situata ka shkuar përtej asaj që mund të përballojë një komb i vetëm.

“Mesazhi është i thjeshtë: kjo luftë duhet të ndalet. Dhe për këtë arsye, ne po ndihmojmë,” ka thënë Merz, duke përsëritur angazhimin afatgjatë të Gjermanisë për mbështetje ushtarake ndaj Ukrainës.

“Askush prej nesh nuk është i gatshëm të pranojë që forca ushtarake të ndryshojë kufijtë në Evropë. Nëse lejojmë një gjë të tillë, agresioni ushtarak ndaj vendeve të tjera evropiane do të vazhdojë.”

Kujtojmë se më herët Merz i dha edhe një ultimatum tjetër Rusisë për bisedime për armëpushim, duke i dhënë kohë “deri në fund të javës”, ndryshe do të ketë pasoja.