Tërmeti i 26 Nëntorit shuajti 3 pjesëtarë të familjes Greku. Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku jetonin në një prej pallateve të shembura në Thumanë. Bashkëshortët gjetën vdekjen në vendngjarje, ndërsa 31-vjeçari doli i gjallë nga rrënojat dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Traumës.
Në një rrëfim ekskluziv për tvklan.al, Klotilda Greku, gruaja e Sajmir Grekut rrëfen për natën tragjike kur humbi bashkëshortin. Fati deshi që ajo dhe vajza e vogël Klejsa të vizitonin prindërit e saj fundjavën që lamë pas dhe nuk ndodheshin në shtëpi, kur ra tërmeti me magnitudë 6.4. Sot, e veshur e gjitha me të zeza, Klotilda ka mbetur vetëm me vajzën 1 vjeç e 7 muajshe, të cilën Sajmiri e kishte idhull.
Klotilda rrëfen historinë e dashurisë me Sajmirin, dashurinë e madhe që ai kishte për vajzën, por edhe detaje nga nata tragjike. Ajo tregon se pallati kishte pësuar dëmtime që prej tërmetit të vitit të shkruar, por familja Greku këtë e kishte parë si shenjë se ishte ndërtesë e fortë. E cilëson tragjedi të paralajmëruar, teksa tregon se në dhomën ku flinin, një pjesë e murit kishte qenë e ngritur.
Klotilda kishte biseduar në telefon mbrëmjen e së hënës me bashkëshortin e saj. Madje kishin bërë shaka për tërmetin e rënë po atë mbrëmje.
30-vjeçarja tregon se kishte planifikuar të nisej drejt Tiranës disa ditë me herët, e të kthehej më herët, por kishte qenë pikërisht Sajmiri që e kishte bërë që ta shtynte vizitën tek prindërit e saj, pasi donte të rrinte me të bijën.
Tërmetin e orës 03:00, Pëllumb Greku kishte biseduar në telefon me një prej mbesave të tij, e cila i kishte kërkuar që të dilnin nga banesa, në çdo rast. Por ai i kishte thënë se Sajmiri ishte në gjumë, se i vinte keq ta zgjonte të birin dhe se “nuk është gjë, e se jemi mësuar ne tani me tërmetet”.
Për tvklan.al, Klotilda tregon edhe herën e fundit që familja e saj ishte e plotë. Fotot e fundit me Sajmirin dhe vajzën dhe boshllëkun e madh që ai ka lënë në zemrat e tyre.