Një burrë 58 vjeç dhe një 17-vjeçare janë gjetur pa jetë dje në Vitomiricë të Pejës, ndërsa në vendin e ngjarjes Policia gjeti edhe një pistoletë dhe dy gëzhoja. Megjithatë, rasti nuk është cilësuar si vrasje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se viktimat ishin fqinj të parë. Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi i tha Sinjalit se “dyshohet që njëra viktimë fillimisht është privuar nga jeta e më pas dyshohet që një prej tyre ka bërë vetëvrasje”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se zyrtarët policorë janë sulmuar nga 4 persona kur po e rrethonin me shiritë të sigurisë vendin ku ishin gjetur trupat e pajetë.
Gashi ka thënë për Gazetën Sinjali se zyrtarët policorë janë penguar dhe sulmuar nga familjarët e 17-vjeçares që u gjet e pajetë.
“Dje rreth orës 17:00 në Vitomiricë janë gjetë dy trupa të pajetë. Njësitet kompetente janë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe prokurori i shtetit. I kanë kry ato procedurat. Pengim i personit zyrtar është cilësu kur familjarët kanë shku… 4 persona kanë shku në vendin e ngjarjes. Njëri prej tyre i ka dëmtu shiritat e sigurisë, ka tentu me hy edhe kur kanë reagu zyrtarët policorë, ai i ka sulmu. Është dashtë me intervenu aty.. I kanë sulmu zyrtarët policorë të cilët kanë pësu lëndime të lehta trupore. Ata janë arrestu dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë”, ka thënë Gashi.
Viktimat janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është duke u hetuar dhe fillimisht është cilësuar si “hetim i vdekjes”.