Komisioni për Inteligjencë i Senatit të SHBA-ve dje pasdite në Uashington DC, ka mbajtur seancën dëgjimore për konfirmimin e Kongresistit John Ratcliffe në pozitën e drejtorit Nacional të Inteligjencës së SHBA-ve.
Ratcliffe do të marrë konfirmimin e shumëpritur për të zëvendësuar në këtë pozitë ambasadorin Richard Grenell, duke e përmbyllur karrierën jetëshkurtër të tij si pjesë e kabinetit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kongresisti Ratcliffe është një figurë e njohur që ka përkrahur vazhdimisht cështjen shqiptare dhe mik i hershëm i komunitetit shqiptar në SHBA.
Ligjvënësi John Ratcliffe u premtoi në mënyrë të përsëritur ligjvënësve skeptikë se do të braktisë politikat partiake dhe do t’i ofrojë presidentit dhe hartuesve kryesorë të politikave “të vërtetën e palustruar”.
“Ajo çfarë dikush dëshiron të reflektohet në të dhënat e zbulimit nuk do të ndikojë në të dhënat që do të jap unë“, u tha teksani republikan kolegëve të tij, për mënyrën se si do të veprojë nëse konfirmohet në detyrën e drejtorit të zbulimit kombëtar. “Nuk do të errësohet për askënd“, theksoi Ratcliffe.
Ligjvënësi Ratcliffe u detyrua fillimisht ta tërheqë emrin e tij nga shqyrtimi në gusht të vitit të kaluar, pasi ligjvënës republikanë dhe demokratë ngritën pikëpyetje rreth pretendimeve se kishte fryrë arritjet e tij kundër terrorizmit, kur kishte qenë prokuror federal.
Të tjerë përmendën mungesën e eksperiencës me agjensitë amerikane të zbulimit, duke vënë në dukje se lidhja e tij më e dukshme ishte si anëtar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, një rol që e pati luajtur për vetëm një vit.
Megjithatë, Presidenti Trump e emëroi zotin Ratcliffe sërish në shkurt, duke e quajtur “një burrë të jashtëzakonshëm me talent të madh!”. Presidenti Donald Trump në muajin shkurt ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell, si drejtor në detyrë të Inteligjencës Kombëtare, por vetëm për një periudhë të shkurtër.
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA. (INA)