Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiç, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Milan Mojsilloviç, zhvilluan një vizitë pranë një baze ushtarake afër kufirit me Kosovën. Lajmi është konfirmuar nga vetë ushtria serbe përmes një deklarate.
“Ministri Gashiç dhe gjenerali Mojsilloviç gjatë vizitës së sotme me ushtarët biseduan për detyrat që kryejnë përgjatë vijës administrative me Kosovën, si dhe biseduan edhe për kushtet e jetesës dhe punës”, lexohet në njoftim.
Ata paralajmëruan se do të bëhen ndryshime në objektet infrastrukturore në bazat ushtarake serbe. Gashiç vizitoi dhe një kompleks qitjeje, të destinuar për stërvitje individuale dhe kolektive për situatë luftarake. Në javët e fundit ka pasur akuza të shumta nga krerët e institucioneve dhe inteligjenca e Kosovës se terroristët e Milan Radoiçiç po stërviten në disa baza ushtarake të Serbisë, për sulme të mundshme në Veri.