Opozita në Izrael ka bërë edhe një hap drejt rrëzimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu nga pushtetit dhe formimit të qeverisë së re, pasi bllokut opozitar iu bashkua edhe partia e udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz.
Gjatë periudhës 12-vjeçare në pushtet, Netanyahu shpesh ka qenë figurë polarizuese në vend dhe jashtë tij. Fundi i pushtetit të tij do të mund të sillte qetësim të skenës së trazuar politike, por ndryshimet e mëdha në politikën e jashtme duket se kanë më pak gjasa nga aleatja e palëkundur, ShBA-ja, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Yair Lapid, i ngarkuar me detyrën për formimin e koalicionit qeveritar pas dështimit të Netanyahut për të bërë një gjë të tillë pas zgjedhjeve të 23 marsit, ka kohë deri në mesnatën e së mërkurës që ta paraqesë marrëveshjen te presidenti.
Partneri kryesor i Lapidit është nacionalisti Naftali Bennett, i cili do të shërbente si kryeministër në mandatin me rotacion.
Partia e Lapidit dhe partia e ministrit Gantz thanë në një deklaratë të përbashkët se janë pajtuar për skicën e qeverisjes dhe për çështjet themelore që lidhen me forcimin e demokracisë dhe shoqërisë.
Këto parti njoftuan se edhe pas marrëveshjes së re, Gantz do ta vazhdonte punën si ministër i Mbrojtjes.